Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Stevo Pendarovski, tha të martën pasdite në Shkup se situata e sigurisë në vend është stabile dhe se nuk ka indikacione për rrezikim të integritetit territorial dhe sovranitetit nga zhvilli`met në rajon dhe ato të lidhura me Ukrainën.
Këtë deklaratë Pendarovski e dha pas takimit të Këshillit të Sigurisë, i cili zgjati më shumë se dy orë e ku morën pjesë edhe kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski, ministrja e re e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe anëtarët e jashtëm – profesorët Nenad Markoviq, Veton Latifi dhe Trajan Gocevski. Me ftesë të Presidentit, në këtë mbledhje i pranishëm ka qenë edhe Erold Musliu, drejtor i Agjencisë për Inteligjencë, Viktor Dimovski, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
A DO TË DËRGOJË USHTARË RMV NËSE NATO NDËRHYN NË UKRAINË?
Sipas Pendarovskit, tensionet në rajon janë ulur pjesërisht, kryesisht në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare. Lidhur me tensionet në kufirin ukrainas-rus, presidenti i RMV tha se vendi ka bërë të gjitha përgatitjet për skenarë të mundshëm.
“Në këtë kuptim ne i mirëpresim përpjekjet diplomatike që po bëhen në nivele të ndryshme që marrin përsipër faktorët kryesorë në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët i japin mundësi dialogut dhe negociatave, e jo armëve dhe retorikës luftarake”, tha Pendarovski.
Ai sqaroi se NATO nuk ka marrë një vendim për intervenim ushtarak në Ukrainë sepse Neni 5 i Marrëveshjes së Uashingtonit vlen vetëm për 30 shtetet anëtare, kur e gjithë Aleanca reagon nëse sulmohet një nga ato shtete.
Ekspertët e sigurisë thonë se vendi mund të vendosë vetë nëse do të përmbahet apo do të kontribuojë nëse NATO vendos të ndërhyjë në situatën në Ukrainë. Sipas profesorit universitar Metodi Haxhi-Janev, Maqedonia e Veriut nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë nga konflikti i mundshëm ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
“Maqedonia ka detyrime nga anëtarësimi në NATO, por ka edhe të drejtën sovrane të vendosë të qëndrojë larg një konflikti të mundshëm në Ukrainë”, ka thënë Haxhi-Janev për Radion Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.
Kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, Ismet Ramadani, ka thënë se vendi si anëtare e NATO-s e ka obligim të përfshihet në një konflikt të mundshëm.
Ramadani thotë se Maqedonia duhet t’i respektojë obligimet ndaj NATO-s, si shtet anëtar.
“Këtu është shumë e qartë Neni 5 të Kartës së NATO-s. Një për të gjithë, të gjithë për një, që do të thotë se duhet të jemi të përgatitur edhe për situata të tilla”, tha Ramadani.
MINISTRI OSMANI TAKON AMBASADORIN RUS
Një ditë më parë Ministri i Jashtëm i RMV Osmani ka takuar ambasadorin rus në Shkup, Sergej Baznikin. Siç njoftuan zyrtarisht nga MPJ, Osmani dhe ka bërë thirrje për de-përshkallëzim të situatës rreth Ukrainës dhe gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut dhe komunikimit diplomatik. Osmani, megjithatë, ka përsëritur qëndrimin se Maqedonia e Veriut respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ministri Osmani, sipas njoftimit, theksoi se anëtarësimi i RMV në NATO është një arritje e rëndësishme e politikës së jashtme të vendit, që është shprehje e vendimit sovran të marrë unanimisht në Parlament në vitin 1993.
“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s është garanci për sigurinë tonë, si dhe kontribuon për sigurinë dhe sigurinë më të gjerë rajonale. NATO është një aleancë për mbrojtjen kolektive të shteteve anëtare dhe nuk përbën kërcënim për Federatën Ruse apo ndonjë vend tjetër në botë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Rusia ka vendosur më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Perëndimi ka frikë se Moska po përgatitet të pushtojë Ukrainën, por Rusia e mohon atë dhe kërkon garanci se NATO nuk do të zgjerohet më në lindje.