Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • ENG
  • ALB
  • SRB
  • UKR
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Likuidimi i Prigozhinit dhe modeli shoqëror që ofrohet si alternativë

The Geopost August 26, 2023 5 min read
Share the news

Shkruan: Xhelal Neziri, Redaktor dhe bashkëpunëtorë i Geopost-it nga Maqedonia e Veriut

Fatkeqësisht, ky model brutal i organizimit shoqëror promovohet si “i suksesshëm” nga disa lëvizje politike edhe në Maqedoninë e Veriut. Putini është lider më i simpatizuar botëror në vend, ndërsa ditëlindja, edhe pse një ngjarje që s’ka asnjë prekje me interesin publik të vendit, prodhon qindra tituj lajmesh në mediat e këtushme.

Vdekja e liderit të grupit mercenar rus “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, nuk ishte ndonjë befasi. Ai humbi jetën në një fatkeqësi ajrore kur me një avion privat, bashkë me 10 pjesëtarë të grupit famëkeq, u rrëzua gjatë fluturimit nga Moska për në Sankt Petersburg. Në fakt u likuidua pa mbushur as dy muaj nga rebelimi i tij kundër liderit autokrat të Rusisë, Vlladimir Putin. Ndërsa Kremlini thotë se ishte fatkeqësi ajrore, nga grupi i mercenarëve thanë se avioni u godit nga një projektil tokë-ajër. Pjesa tjetër e botës nuk i kanë marrë këto lajmë si të konfirmuara, duke dyshuar se Prigozhin ka mundur të inskenojë vdekjen.

Nuk ishte befasi pasi këtë fund e kishin të gjithë kundërshtarët e Putinit. Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, në rrethana misterioze, vdiqën dhjetëra biznesmenë, aktivistë e gazetarë rusë që e kundërshtuan Putinin. Presidenti i Lukoil, Ravil Maganov, vdiq pasi u rrëzua nga dritarja e spitalit në Moskë. Një tjetër menaxher i lartë i Lukoil, Alexander Subbotin, u gjet i vdekur pranë Moskës. Një nga drejtuesit më të lartë të Gazpromit, Leonid Shulman, u gjet i vdekur në vilën e tij në fshatin Leninsky pranë Volgogradit. Një tjetër drejtor i Gazpromit, Aleksandar Tyulakov, u gjet i vdekur në garazh vetëm një ditë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës. Drejtori i Gazprombank, Vladislav Avayev, u gjet i vdekur së bashku me gruan dhe vajzën e tij në një dhomë hoteli. Ish-drejtori i prodhuesit të gazit Novatek, Sergej Protosenja, u gjet i vdekur në Spanjë bashkë me gruan dhe vajzën. Mikhail Watford, një tjetër miliarder i gazit, u gjet i vdekur në Angli vetëm tre ditë pas fillimit të agresionit. Vasily Melnikov, një biznesmen i tregtisë me ilaçe, u gjet i vdekur së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij. Elena Kostyuchenko, Natalia Arno dhe Irina Babloyan, kanë punuar prej kohësh në zbërthimin e gënjeshtrave të Kremlinit. Gjatë udhëtimit nëpër Evropë vitin e fundit, secili u helmua nga toksina të panjohura. Një duzinë gazetarësh rusë, që nuk pajtohen me Putinin, punojnë nga ekzili. Janë zhvendosur redaksi të tëra në vende të Bashkimit Evropian (BE), Izrael dhe Turqi ndërkohë që jetojnë me frikën nga hakmarrja e regjimit. Njerëzit që jetojnë në Rusi nuk kanë asnjë liri të mendimit dhe të shprehjes. Gjithçka që nuk i pëlqen regjimit të Putinit sanksionohet në mënyrën më të pamëshirshme.

Fatkeqësisht, ky model brutal i organizimit shoqëror promovohet si “i suksesshëm” nga disa lëvizje politike edhe në Maqedoninë e Veriut. Putini është lider më i simpatizuar botëror në vend, ndërsa ditëlindja, edhe pse një ngjarje që s’ka asnjë prekje me interesin publik të vendit, prodhon qindra tituj lajmesh në mediat e këtushme. Po promovohet një errësirë e plotë autoritarizmi që prodhon përndjekje, burgosje, vrasje, helmime dhe luftë. Është një sistem politik që nuk funksionon dhe që varet nga vullneti i vetëm një njeriu, i cili shkel çdonjërin që i del përpara. Është një shtet që nuk njeh konceptin e shtetit të së drejtës pasi e drejta varet nga vullneti i një njeriu. Ky njeri, pra Putini, bashkë me njerëzit tjerë afër tij janë mbi ligjet dhe kushtetutën e Federatës Ruse.

Vrasja e Prigozhinit, dhe shumë të tjerëve para tij, duhet të jetë një moment i rivlerësimit të kursit për të gjithë ata që e promovojnë Rusinë si model apo alternativë të BE-së dhe NATO-s. Duhet të pyeten se për çfarë sistemi (anti)vlerash angazhohen: si ky që është realitet në Rusi?

Këtë sistem ka kohë që përpiqen ta instalojnë struktura të caktuara politiko-ekonomiko-mediatike në Maqedoninë e Veriut. Tentimi më transparent i Moskës u regjistrua në vitin 2018, kur përmes dy njerëzve më me ndikim te Putini – Leonid Savin dhe Aleksandar Dugin – u përpoq të investonte në krijimin e një lëvizjeje të re politike në Maqedoninë e Veriut, e cila do t’i përfaqësonte interesat ruse në këtë vend. Partia u emërua “Maqedonia Unike (Edinstvena Makedonija), një emër i ngjashëm me partinë e Putinit (“Edinstvena Rusia”).

Shfrytëzimi i afërsisë etno-religjioze me popujt sllavë të rajonit ka qenë rruga më efikase e rritjes së ndikimit. Kur të shihen veprat, në formën e investimeve apo fondeve zhvillimore, Rusia është shumë larg BE-së dhe SHBA-së. Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut BE-ja ka investuar 1.8 miliardë euro, kurse Federata Ruse vetëm 26 milionë euro. SHBA ka dhënë qindra milionë dollarë si fonde të pakthyeshme për zhvillimin e vendit. Partnerë kyç tregtarë janë pikërisht vendet e NATO-s. Të rinjtë që ikin nga Maqedonia e Veriut, e që kërkojnë drejtësi e zhvillim, shkojnë pikërisht në vendet perëndimore. Lidhjet mbase emotive me Rusinë nuk reflektohen të vendimet e arsyeshme të qytetarëve, që kërkojnë një shtet modern që do t’u mundësojë një jetë të mirë e të dinjitetshme. Liria dhe dinjiteti njerëzor janë vlera themelore e strukturave euroatlantike, drejt së cilave po shkon vendi. Tentimi për të ndalur këtë rrugë dhe ofrimi i alternativave tjera është një aventurë e rrezikshme, e cila ka një kosto të lartë. /Geopost/

Continue Reading

Previous: Ukraina feston Ditën e Pavarësisë me sulmin e parë në Krime
Next: “Fryma e Nënës Rusi në Serbi”: Ish-zyrtare e Dveri dhe DSS ka pasur akses në një faqe interneti që dyshohet se kontrollohej nga shërbimi rus

Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse 3 min read
  • Lajme

Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse

The Geopost November 16, 2025
Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin 3 min read
  • Lajme

Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin

The Geopost November 16, 2025
Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë 2 min read
  • Lajme

Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë

The Geopost November 16, 2025
Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave 5 min read
  • Lajme

Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave

The Geopost November 15, 2025
Një kompani kineze e sanksionuar nga SHBA-ja në garë për ndërtimin e autostradës së Malit të Zi 7 min read
  • Lajme

Një kompani kineze e sanksionuar nga SHBA-ja në garë për ndërtimin e autostradës së Malit të Zi

The Geopost November 15, 2025
Rruga e Ballkanit Perëndimor – Rrugë e re për migrantët kinezë drejt perëndimit 9 min read
  • Lajme

Rruga e Ballkanit Perëndimor – Rrugë e re për migrantët kinezë drejt perëndimit

The Geopost November 15, 2025

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.