Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, sërish ka përmendur Kosovën me tendencën për ta krahasuar me Ukrainën.
Ai i është drejtuar kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara duke i thënë “që të lexojnë Kartën e kësaj organizate në tërësi dhe jo vetëm atë pjesë që ai dëshiron të nënvizojë në kontekstin e krizës ukrainase në lidhje me territorin, integritetin dhe të drejtën e kombeve për vetëvendosje”.
Lavrovit i ka penguar kërkesa e Perëndimit që Ukraina të mbetet në kufijtë e saj të vitit 1991 dhe u mundua ta prezantojë si rast i njëjtë me Kosovën në Simpoziumin Ndërkombëtar të Fantashkencës “Ndërtimi i së Ardhmes”.
“Kur vendet perëndimore e shpallën Kosovën të pavarur në vitin 2008, askush nuk debatoi për këtë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së tha në përfundimin e saj se, nëse një pjesë e vendit vendos në mënyrë të njëanshme për pavarësinë e saj, pëlqimi i autoriteteve qendrore është nuk kërkohet fare”, tha Lavrov.
Lavrov edhe gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, në margjinat e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Sigurinë Euroaziatike në Minsk, ka folur për Kosovën duke vazhduar narrativën e nisur nga Serbia se serbët në Kosovë “po persekutohen”.
“Gjatë diskutimit të situatës në Ballkan, vëmendje e veçantë iu kushtua Kosovës, veçanërisht në dritën e represioneve të vazhdueshme antiserbe nga autoritetet e Prishtinës. Të dyja palët theksuan rëndësinë e respektimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si kusht themelor për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë të krizës së Kosovës dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. U trajtuan edhe tema të tjera aktuale në politikën ndërkombëtare”, kishte njoftuar më pas ministria ruse./TheGeopost/

Zyrtarë të Listës Serbe dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra të tjera penale
Dodiku sërish në Moskë: vazhdon forcimi i lidhjeve të Banjallukës me Kremlinin
Nga Millosheviqi te Vuçiqi – Stradner: E njëjta strategji, propagandë për ta paraqitur veten si viktimë
Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga
“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës
Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën