Komisioni Evropian ka propozuar ngrirjen e aseteve të Patriarkut Kirill, kreut të Kishës Ortodokse Ruse, si pjesë e raundit të gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë, sipas raporteve.
Patriarku i është shtuar një drafti të propozuar që i është dërguar për shqyrtim ambasadorëve përkatës, sipas dy burimeve që kanë parë dokumentet e plota, raporton “The Guardian”.
Emrat mund të hiqen ose shtohen sipas gjykimit të shteteve anëtare në këtë fazë, tha një burim i Komisionit të BE-së.
75-vjeçari Kirill është një mbështetës i zjarrtë i liderit rus, Vladimir Putin, dhe dikur e përshkroi sundimin e tij si një “mrekulli”.
Sipas një dokumenti të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të parë nga “Politico”, Kirill ka qenë “një nga mbështetësit më të shquar të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës” dhe një lojtar kyç në përforcimin e retorikës së Vladimir Putinit për Ukrainën.
Dokumenti thekson një seri predikimesh dhe vërejtjesh pro-luftës nga Kirill në muajt që pas pushtimit rus të Ukrainës, si dhe bekimin e tij për ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë, duke shtuar:
“Prandaj, Patriarku Kirill është përgjegjës për mbështetjen ose zbatimin e veprimeve ose politikave që minojnë a kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Ukrainë.”