Me flamuj në dorë e duke kënduar himnin kombëtar, me mijëra ukrainas marshuan në Kiev të shtunën për të treguar unitet përballë një sulmi të mundshëm rus.
“Paniku është i padobishëm. Ne duhet të bashkohemi dhe të luftojmë për pavarësi“, tha studentja Maria Shcherbenko, e cila i bëri jehonë komenteve të ngjashme të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të bëra më herët gjatë ditës.
“Unë qëndroj i qetë. E dua Ukrainën”, shkruhej në disa prej pankarteve që mbanin në dorë marshuesit. Në disa të tjera shkruhej ‘lufta nuk është përgjigja’, apo ‘rezistencë’.
Shumë prej marshuesve treguan mbështetjen e tyre ndaj NATO-s, aleancës perëndimore në qendër të mosmarrëveshjeve të Rusisë me Perëndimin.
E përfshirë nga një konflikt tetë-vjeçar që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 14,000 njerëzve në pjesën lindore të Ukrainës që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Moska, Kievi po përballet tashmë me kërcënimin e një sulmi të përgjithshëm rus.
Kremlini ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa rreth Ukrainës dhe po zhvillon stërvitje ushtarake në Bjellorusi.
Uashingtoni ka paralajmëruar se lufta mund të shpërthejë në çdo moment. Vendet perëndimore po tërheqin diplomatët e tyre nga Kievi dhe kanë urdhëzuar shtetasit amerikanë të largohen menjëherë nga Ukraina.
Pavarësisht thirrjeve për qetësi nga zoti Zelensky dhe një sërë udhëheqësish të tjerë, Kievi ka përgatitur një plan për të evakuuar tre milionë banorët e kryeqytetit.
Pas revoltës së vitit 2014, Kremlini aneksoi gadishullin e Krimesë, një territor i Ukrainës dhe mbështeti një kryengritje në pjesën industriale rusisht-folëse të ish-republikës sovjetike, që shtrihet në lindje të vendit.
Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit janë tensionuar shumë.
Presidenti rus Vladimir Putin kërkon që NATO të garantojë se nuk do të zgjerohet duke bërë edhe Ukrainën pjesë të saj si dhe që aleanca të largojë trupat ushtarake nga vendet e Evropës Lindore. Por si Uashingtoni ashtu edhe NATO i ka hedhur poshtë këto kërkesa të Kremlinit.

Vuçiqi paralajmëron “kupolën mbrojtëse” dhe forcimin e ushtrisë për marketing politik
Rritet presioni politik ndaj Belgjikës për të mbështetur kredinë e dëmshpërblimeve për Ukrainën
Parullat shoviniste në Serbi: Shqiptarët fyhen njëlloj nga përkrahësit edhe kundërshtarët e pushtetit
Spastrimet ushtarake të Xi-së tregojnë pasiguri për forcat bërthamore të Kinës
Abuzimi me dhimbjen: Si mediat e regjimit përdorin serbët nga Kosova për qëllime politike
Anëtari i NATO-s, Rumania, gjen fragmente dronësh pas sulmeve ruse në portet ukrainase