
Pas protestës të së dielës në Jarinjë, KFOR-i ka shtuar praninë ushtarake në veri të Kosovës.
Sipas arsyetimit të tyre, kjo është bërë pas prezencës së grupeve kriminale, serbe e ruse, brenda protestuese.
“Pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, KFOR ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye të sigurisë. Kjo rritje e sigurisë vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, thuhet në arsyetimin e KFOR-it, përcjell The Geopost.
Tutje, KFOR thotë se është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij i dhënë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në të mirën e të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, përfundon reagimi.
Pak më parë ka përfunduar protesta e djathtistëve serb në Jarinjë, në pikën kufitare me Kosovën. Kjo ngjarje ishte zhvilluar në anën e territorit të Serbisë, si shenjë mbështetje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës, e që përkrahen nga regjimi i Beogradit.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska e Bosnjë e Hercegovinës.
Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia, i cili ka lidhje me Danilo Vuçiqin që është biri i presidentit serb.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë. Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Wagner”, të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.
Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë. /The Geopost/