
Mali i Zi ka bërë përparim në rrugën e tij evropiane, tha Kaja Kalas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, në një konferencë shtypi me kryeministrin Milojko Spajiq në Podgoricë më 7 prill.
Ajo theksoi se ka ende shumë për të bërë dhe se fokusi duhet të jetë te reformat.
“Unë e mirëpres angazhimin sepse procesi i anëtarësimit kërkon reforma. Ne e dimë që nuk ka rrugë të shkurtra, duhet të bëhen reforma. Përshëndes marrëveshjen me opozitën që i mundëson Kuvendit të vazhdojë punën”, tha Kalas.
Një nga çështjet ishte siguria.
Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin në këtë fushë, sepse po jetojmë në kohë të trazuara”, tha Kalas.
Kalas: Jemi të shqetësuar për situatën në rajon
Kalas tha se është e shqetësuar për stabilitetin rajonal dhe njoftoi se kjo do të diskutohej nesër në Sarajevë.
“Sulmet ndaj unitetit dhe rendit kushtetues të BeH nuk mund të tolerohen. Politikanët kanë një përgjegjësi të madhe për të punuar së bashku për të siguruar që vendi të ecë përpara drejt BE-së. Ata duhet të kapërcejnë ndarjet, jo t’i thellojnë ato, gjë që është shumë e rëndësishme për stabilitetin e BeH dhe rajonit”, tha Kalas.
Për ngjarjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ajo tha se normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm.
“Për ne është e rëndësishme të normalizohen marrëdhëniet, sepse pa këtë asnjëri prej tyre nuk mund të ecë përpara në rrugën drejt BE-së”.
E pyetur në lidhje me dialogun e ngecur midis Kosovës dhe Serbisë, Kalas tha se BE “po bën një analizë këtë muaj” me të dërguarin e BE-së për dialogun Peter Sorensen.
“BE-ja po korrigjon gabimet në dialogun e udhëhequr nga Brukseli ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy fqinjëve”, tha Kalas, pa specifikuar se për cilat gabime ishin.
Ajo shprehu mirënjohjen që Mali i Zi mbështet rezolutën e OKB-së për Ukrainën dhe respekton integritetin e saj territorial:
“Është e rëndësishme që ne t’u përmbahemi këtyre vlerave. Ne e dimë se mund të llogarisim te Mali i Zi.”
Kryeministri Spajiq tha se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në aspektin e integrimit.
“Mali i Zi nuk ka dilema, Bashkimi Evropian (BE) është rruga jonë strategjike dhe nuk ka asgjë që do të na pengonte prej saj”, tha Spajiq.
Ai nënvizoi se Mali i Zi është lider në procesin e integrimeve evropiane.
Shpresoj se këtë vit do të mbyllim më shumë kapituj negociues me BE-në”, tha Spajiq.
Duke komentuar marrëveshjen e bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Kalas tha se BE-ja mbështet zhvillimin ekonomik, por është e rëndësishme që të respektohet ligji malazez dhe që kompanitë e BE-së të kenë të njëjtat të drejta si të tjerat.
Spajiq tha se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrëveshje të ngjashme me disa vende të BE-së.
“Ne po planifikojmë marrëveshje të tilla me të paktën tre shtete anëtare të BE,” tha Spajiq.
Vizita e Kalas në Podgoricë shënoi fillimin e një vizite zyrtare në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pas Podgoricës, Kalas ka pasur një drekë pune me presidentin malazez Jakov Milatoviq për negociatat e Malit të Zi me BE-në në Cetinje.
Zyra e Presidentit tha se Milatoviq i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së marrëveshjes ndërmjet qeverisë malazeze dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në bisedimet e tij me Kalas.
“Unë pres që BE të bëjë një përcaktim të qartë nëse marrëveshja midis Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, tha Milatoviq.
Ai shfrytëzoi rastin për të përsëritur vendosmërinë e Malit të Zi për të bërë gjithçka për të qenë gati për anëtarësimin në BE deri në vitin 2028:
“Ne e dimë se ky është një qëllim ambicioz, por besojmë se mund ta arrijmë atë së bashku me partnerët tanë evropianë.
U vu re se Kalas shprehu mbështetjen e plotë për Malin e Zi në rrugën e tij drejt përafrimit të mëtejshëm me BE-në.
Kalas prezantoi një paketë mbështetjeje për ushtrinë malazeze nga Qendra Evropiane e Paqes në aeroportin ushtarak të Podgoricës, njoftoi Shtëpia Evropiane.
Kalas tha se paketa prej 6 milionë eurosh u miratua nga BE në shkurt të këtij viti për të forcuar ushtrinë malazeze.
“Kam parë pajisje të rëndësishme ushtarake, duke përfshirë pajisje mbrojtëse kimike, biologjike dhe bërthamore, pajisje kërkimi dhe shpëtimi dhe pajisje për kushte ekstreme të motit,” tha Kalas në prani të ministrit malazez të mbrojtjes Dragan Krapoviq.
Ajo shtoi se pjesëmarrja e Malit të Zi në misionin e Bririt të Afrikës kontribuon në menaxhimin e krizave dhe stabilitetin gjeopolitik.
Mali i Zi ka gati 13 vjet që negocion anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian.
Deri më tani ka mbyllur gjashtë kapituj nga gjithsej 33.
Disa kapituj të tjerë do të mbyllen në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel në qershor.
Deri në fund të vitit, kryenegociatori i BE-së, Predrag Zenoviq, parashikon se deri në nëntë kapituj mund të mbyllen./RSE/