Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur vlerësim për besnikërinë e Serbisë ndaj Rusisë për shekuj.
Ai tha se serbët “kanë qenë aleatët më të besueshëm të Rusisë për shekuj” në ceremoninë e mbylljes së Festivalit Botëror të Rinisë, raporton The Geopost.
“Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë janë të një natyre të veçantë… Dua të theksoj se serbët kanë qenë aleatët më të besueshëm të Rusisë për shekuj. Ne e dimë, e mbajmë mend dhe e vlerësojmë këtë”, tha Putin.
Gjithashtu, Putin tha se “Mali i Zi ka qenë gjithmonë një shtet i afërt me ne dhe me njerëzit që jetojnë atje – me besim dhe kulturë”.
Serbia dhe Rusia janë aleate tradicionale me përpjekjet ruse për të mbajtur ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes Serbisë.
Serbia që është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka dështuar të përshtatë politikën e saj të jashtme me bllokun për të mos prishur marrëdhëniet me Rusinë. Ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pasi nisi luftën në shkallë të plotë në Ukrainë duke u bërë vendi i dytë në Evropë me Bjellorusinë që nuk ndëshkuan agresionin brutal rus.
Përveç që nuk i vendosi sanksione, Serbia ka ndihmuar Rusinë edhe duke i dërguar mallra që janë të sanksionuara nga shtetet perëndimore.
Të dhënat doganore nga bazat e të dhënave të tregtisë ndërkombëtare të analizuara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se kompanitë serbe kanë dërguar të paktën 71.1 milionë dollarë mallra të sanksionuara me përdorim të dyfishtë në Rusi që kur Putini filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Serbia po ashtu është i vetmi vend evropian që vazhdon nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Moskën.
Ndërsa përveç mbështetjes nga regjimi i Serbisë ndaj Rusisë dhe politikave të saj edhe ndjenja publike e serbëve gjatë luftës në Ukrainë ka qenë pro-ruse, me mbi 70% të serbëve që mbështesin Rusinë kundër Ukrainës. Në Beograd dhe gjithë Serbinë janë shfaqur billborde të Putinit duke e admiruar për agresionin që po zhvillon në Ukrainë.
/TheGeopost/