Politikën e saj të jashtme Administrata Biden e ka përqendruar në kundërshtimin e Kinës që po rritet. Një konsensus dypartiak është shfaqur në Uashington se Kina është kundërshtari më i rrezikshëm global i SHBA-ve.
Dhe në mënyrë që të përqendrohet në përballjen me Pekinin, Shtëpia e Bardhë po synon marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë. Në realitet, nxitja e paparashikueshmërisë dhe jostabilitetit janë dy strategjitë thelbësore të Moskës për të minuar Perëndimin andaj dhe nuk ka arsye për të hequr dorë prej tyre.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë është e preokupuar me fuqinë ushtarake në rritje të Kinës dhe kërcënimet e saj kundër aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Largët, Kremlini mund të destabilizoi rajone të tjera.
Shpërqendrimi i Shtëpisë së Bardhë mund t’i shërbejë për të ndezur konflikte të reja dhe Ballkani Perëndimor mbetet një objektiv kryesor i kësaj mundësie. Mosmarrëveshja e fundit në kufirin Kosovë-Serbi rreth targave duket si një test për konfrontime më serioze. Zyrtarët rusë po e inkurajojnë qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiç që ta transformojë Serbinë në fuqinë dominuese në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të rrisë ndikimin e Rusisë në raport me Uashingtonin dhe Brukselin.
Beogradi organizoi një bllokadë përgjatë kufirit me Kosovën në shtator, vendosi trupat në gjendje gatishmëri dhe kërcënoi ndërhyrjen ushtarake. Ambasadori rus Aleksander Botsan-Kharchenko shoqëroi ministrin e Mbrojtjes të Serbisë Nebojsha Stefanoviç për të inspektuar njësitë e ushtrisë serbe. Ndërsa Prishtina dërgoi një njësit policor për të zbatuar vendimin për targat, Beogradi vendosi automjete ushtarake përgjatë kufirit dhe ngriti në ajër avionë luftarakë MiG-29 mbi atë zonë për të provuar të frikësojë fqinjin e tij.
Në një shfaqje tjetër fuqie dhe një demonstrim të angazhimeve ushtarake të Kremlinit ndaj Beogradit, forcat e mbrojtjes ajrore ruse dhe serbe kryen stërvitje të përbashkëta ushtarake në mesin e muajit tetor, ku përfshiheshin avionët luftarakë MiG-29. Moska gjithashtu ka vendosur një bateri të sistemeve kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi ‘Pantsir-S’ në Serbi dhe deklaroi se ishte gati t’i shesë Beogradit sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore. Duke qenë se fqinjët e Serbisë nuk posedojnë ndonjë forcë të konsiderueshme ajrore, manovrat qartësisht synonin të dërgonin një sinjal tek NATO-ja se Rusia do të mbrojë aleatin e saj kyç ballkanik në rast të një lufte rajonale.
Edhe terreni propagandistik po përgatitet për konflikt. Beogradi dhe Moska e akuzojnë qeverinë e Kosovës se kërcënon të drejtat dhe ekzistencën e pakicës serbe. Një narracion i ngjashëm mund të përdoret edhe kundër qeverisë boshnjake për të justifikuar luftën. Kremlini ka përdorur vazhdimisht pretendime të tilla për popullsinë ruse për veprimet e saj agresive revizioniste në Ukrainë, Gjeorgji dhe shtetet baltike. Rusia tani po e udhëzon “vëllanë e saj më të vogël” Serbinë për metodologjinë e dominimit rajonal dhe ndarjes territoriale.
Në një skenar të tillë, operativët e inteligjencës serbe mund të provokojnë konfrontime ndëretnike brenda Kosovës dhe të shfrytëzojnë dhunën pasuese si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Kjo do ta vendoste forcën e vogël të NATO-s në Kosovë në pozitë të vështirë për t’u përballur me ushtrinë serbe. Duke mbështetur çdo inkursion serb dhe duke kërcënuar se do të ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake nëse NATO përfshihet në një konflikt të tillë, Moska do ta testonte vendosmërinë e Bidenit për të rrezikuar një luftë NATO-Rusi. Putini mund të llogarisë se Uashingtoni do të preferonte negociatat edhe nëse kjo nënkupton dorëzimin e komunave veriore të Kosovës nën kontrollin e Beogradit, veçanërisht pasi Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të mbështetet në angazhimet e mbrojtjes kolektive të Aleancës Veriatlantike.
Bixhozi i Kosovës mund të jetë pjesë e një ofensive më të gjerë nga Beogradi me udhëzimet ruse për të zgjeruar pozicionin rajonal të Beogradit. Sipas ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin, të gjithë serbët kanë të drejtë të jenë të bashkuar në një shtet. Ashtu si rusët, serbët portretizohen si viktima të shumëvuajtura, të cilat fuqitë armiqësore po komplotojnë për t’i eliminuar. Beogradi pretendon të drejtën për të mbrojtur serbët në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Përveç destabilizimit të Kosovës, fokusi aktual i Beogradit është në thellimin e ndarjeve të Bosnjës dhe aftësimin e entitetit serb që të kërcënojë shkëputjen. Ajo gjithashtu bashkëpunon me nacionalistët serbë në qeverinë e koalicionit të Malit të Zi për të anukuar pavarësinë e Malit të Zi dhe për të ndryshuar politikat e saj pro-perëndimore.
Ndërsa Vuçiç synon lavdinë si një bashkues i tokave serbe, Putini e manipulon atë për t’i shërbyer qëllimeve gjeopolitike të Rusisë. Vuçiq është borxhli i përhershëm ndaj Moskës për bllokimin e hyrjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe varësia ekonomike e Serbisë nga Rusia po zgjerohet, veçanërisht në fushën e energjisë, ku së fundmi ajo iu bashkua lidhjes së re të gazit natyror rus përmes Bullgarisë dhe Turqisë.
Serbia po krijohet gjithashtu si një postë ushtarake ruse dhe një qendër e subversionit rajonal. Ajo ka qenë e armatosur me një shumëllojshmëri armatimesh gjatë viteve të fundit, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke, helikopterë dhe sisteme kundërajrore. “Qendra humanitare” ruso-serbe afër kufirit me Kosovën shërben si një qendër e inteligjencës dhe për operacione speciale për Moskën. Serbia po zhvillon gjithashtu lidhje të ngushta me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të kontrolluar nga Rusia, e që synon të jetë një homologe shumëkombëshe e NATO-s.
Nëpërmjet një mori mekanizmash të kontrolluara nga Kremlini, Serbia po bëhet pengu ballkanik i Rusisë. Moska është e bindur se çdo lëvizje e Serbisë drejt anëtarësimit në NATO është e patolerueshme dhe mund të rezultojë në zëvendësimin e Vuçiqit dhe qeverisë së tij. Mbështetja e Kremlinit për grupe të ndryshme nacionaliste në Serbi, ndikimi i gjerë në hapësirën e informacionit të Serbisë, lidhjet e saj intime me Kishën Ortodokse Serbe dhe depërtimi i spiunazhit në institucionet kryesore në Serbi kanë për qëllim të mbajnë Vuçiqin nën kontrollë dhe ta pengojnë atë të afrohet më shumë në proceset integruese me institucionet perëndimore.
Serbia ofron një mundësi të vlefshme për Putinin për të nxitur konflikte të armatosura në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit. Kjo do të ndihmonte në zgjerimin e ndikimit të Rusisë, do të largonte vëmendjen perëndimore nga konfliktet që Moska ndërton në rajonin e saj dhe do të maskonte shtypjen në rritje ndaj disidencës brenda Federatës Ruse. Në një moment, Vuçiq mund të joshet ose provokohet në një konfrontim ushtarak me një nga fqinjët e Serbisë dhe më pas do t’i drejtohet Moskës për ndihmë. Me BE-në pa timon dhe SHBA-të të fokusuara në Kinë dhe kriza të tjera ndërkombëtare, Kremlini mund të llogarisë se rreziku i reduktuar i ndërhyrjes ushtarake perëndimore ia vlen të provohet.
Janusz Bugajski është një bashkepunetor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington DC.