Sllovakia dhe Hungaria thanë se nuk do t’i mbështesin sanksionet kundër energjisë ruse, përfshirë ato mbi importin e naftës.
Bashkimi Evropian ka dhënë shenja se mund të propozojë sanksione të tilla, për të ndëshkuar Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Sllovakia dhe Hungaria thanë se janë shumë të varura nga nafta ruse dhe se nuk kanë alternativa të menjëhershme.
Ministri sllovak i Ekonomisë, Richard Sulik, tha se do të duheshin vite që rafineria e vetme e vendit të tij, Slovnaft, të kalonte nga nafta bruto ruse në një lloj tjetër nafte.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se vendi i tij nuk do të votojë për sanksione që “do ta bënin të pamundur transportin e gazit natyror ose të naftës nga Rusia në Hungari”.
Szijiarto tha se do të ishte e pamundur që Hungaria dhe ekonomia e saj të funksiononin pa naftën ruse.
“Çështja është e thjeshtë: furnizimi me energji i Hungarisë nuk mund të rrezikohet, sepse askush nuk mund të presë që çmimi i luftës të paguhet nga hungarezët”, tha Szijjarto gjatë një vizite në Kazakistan.
Propozimet e reja të Komisionit Evropian mund të përfshijnë një embargo me faza ndaj naftës ruse.
Njëzet e shtatë vendet anëtare ka të ngjarë t’i fillojnë diskutimet më 4 maj, por mund të duhen ditë që masat të miratohen dhe të hyjnë në fuqi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të martën se Komisioni Evropian është afër propozimit të sanksioneve të reja dhe se paketa do të përfshijë importet e naftës.
Bashkimi Evropian merr çerekun e naftës së tij nga Rusia, ashtu si edhe 40% të gazit.
Shtetet e Bashkuara, që kanë varësi më të vogël nga Rusia, kanë ndaluar tashmë importin e naftës dhe gazit nga ky vend. /REL/