
Ambasadori amerikan në Beograd, Antoni Godfri (Anthony Godfrey), deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Serbinë si kërcënim, por se si Serbia i trajton fqinjët e saj dhe si e perceptojnë ata është e rëndësishme.
Nëse do të isha nga rajoni, do të pyesja veten pse Serbia shpenzon kaq shumë në pajisje ushtarake, në vend që ato para t’i investojë në infrastrukturë, tha Godfri i ftuar në programin e Televizionit “Prva”.
Godfri tha se Serbia ka zgjedhur neutralitetin ushtarak dhe se vendimi i saj është një partneritet me Rusinë, por se Beogradi është gjithashtu një partner i fortë i Uashingtonit dhe se gjithashtu blen pajisje ushtarake nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas Godfri, Serbia e kupton rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë.
Nëse mbështeteni vetëm tek Rusia, do të jetë më e vështirë të arrini një çmim më të mirë. Për të ardhmen afatgjatë energjetike, diversifikimi është më i miri për Serbinë, sepse do të ketë një çmim më të mirë, tha Godfri, duke shtuar se ai pret që Serbia së shpejti të furnizohet me gaz përmes Greqisë.
Duke folur për tenderin për futjen e rrjetit të gjeneratës së pestë mobile – 5G, Godfri vlerësoi se është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë të marrë një vendim sovran në zgjedhjen e kompanisë së cilës do t’i besohet ajo punë.
Shumë kompani amerikane besojnë se kompanitë kineze nuk janë të besueshme dhe kjo mund të ndikojë në investimet e huaja në Serbi, tha Godfri.
Ai tha se situata e paqëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë mund të ketë pasoja të këqija për rritjen e vazhdueshme ekonomike të Serbisë.
Godfri shprehu shpresën se anëtari i presidencës së BiH Milorad Dodik e kupton se e ardhmja e Republika Srpska është në BiH.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Godfri vlerësoi se Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje vetë.
Zgjidhja nuk mund të përcaktohet nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara apo Rusia, sepse atëherë ajo nuk do të jetë e përhershme, tha Godfri, duke shprehur shpresën se Beogradi dhe Prishtina do të bëjnë përparim më të madh në normalizimin e marrëdhënieve, sepse “ata duhet ta bëjnë këtë nëse ata duan të sigurojnë prosperitet për fëmijët e tyre.”
Godfri tha se pret që të gjithë qytetarët e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe të kenë mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre.
Serbia është në rrugën e saj të mirë për përmirësimin e kushteve zgjedhore, por ka ende shumë punë për të bërë. Shpresoj që të gjithë kandidatët të kenë qasje të barabartë në media, tha Godfri, duke shtuar se bojkoti i zgjedhjeve nuk i bën dobi askujt dhe se votuesit presin që në mbledhjen e ardhshme të parlamentit të dëgjohen pikëpamje dhe mendime të ndryshme.
Godfri gjithashtu shprehu shpresën se qytetarët do të marrin pjesë në referendumin për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin.
Reformat kushtetuese janë të rëndësishme në rrugën drejt BE-së. Mungesa e transparencës në gjyqësor është një pengesë e madhe, tha Godfri.
Ai tha se politika e Uashingtonit ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor nuk ndryshon, pavarësisht se kush është ambasadori amerikan në Beograd.
Në vitet e fundit, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Uashingtonit janë përmirësuar në mënyrë drastike, tha Godfri.