Sot, Serbia është më e varur nga Moska sesa Jugosllavia nga Bashkimi Sovjetik deri në vitin 1948, tha për Demostat diplomati, profesori i ekonomisë dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi, Sreçko Gjukiq.
Thelbi i kësaj varësie është ideologjik, politik dhe personal, vlerësoi Gjukiq dhe shtoi se Serbia nuk ka më aleancë me Rusinë, por është peng i politikës ruse.
Gjukiq paralajmëron se asnjë lëvizje në frontin e brendshëm apo të jashtëm nuk është zgjedhje sovrane e Serbisë, por zgjedhja shihet nga prizmi i Moskës.
Serbia, sidomos në dhjetë vitet e fundit, i ka lënë të gjitha kartat e saj energjetike në duart e Moskës dhe tani jemi vendi më i varur nga gazi rus. Ata mund t’i mbyllin çezmat tona në çdo moment, të cilën e kanë treguar dhe e tregojnë që nga viti 2004, pasi çdo të tretën vit ia kanë fikur gazin dikujt në Evropë, kanë treguar se nuk është problem për ta, tha Gjukiq.
Lidhur me deklaratën se varësia ekzistonte edhe para ardhjes në pushtet të Partisë Progresive Serbe, Gjukiq konfirmon dhe thekson se që nga viti 2010, Evropa filloi të kërkonte alternativa ndaj gazit rus, ndërsa Serbia mbeti e shurdhër ndaj asaj dhe nuk iu bashkua Korridorit Jugor të Gazit që shkon nga Azerbajxhani në Evropë.
Ish-qeveria bëri një gabim katastrofik dhe ua shiti rusëve NIS, si dhe rezervat e brendshme të gazit dhe naftës, gjë që u bë për të “blerë” mbështetjen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, theksoi Gjukiq.
Duke folur për Ivica Daçiq si shef i diplomacisë, Gjukiq tha se kjo do të thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po rrit aftësinë e tij për të manovruar në politikën e jashtme sepse të dy njihen si një tandem që di të bëjë sllallome.
Në fund të fundit, ndoshta është drejtësia historike, se ata janë dyshja që do ta zgjidhin çështjen e Kosovës, ka përfunduar Gjukiq./Nova.rs/