
“Fakti që Serbia po armatoset nga vende që shfaqen si armiq të hapur të Evropës dhe NATO-s duhet të ndihmojë në qartësimin e imazhit të rajonit të Ballkanit Perëndimor për disa adresa të rëndësishme politike brenda komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, në Cetinje, pas bisedimeve me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovsky.
“Armatimi është gjithmonë një shqetësim dhe tregon se ndjesia e rrezikut në Evropë është rritur. Armët në Ballkan përbëjnë një rrezik shtesë. Nuk duhet ta anashkalojmë që, për fat të keq, në përgjithësi kultura dhe madje edhe siguria në Ballkan nuk është në nivelin që është në pjesët e tjera të zhvilluara të Evropës. Kjo është arsyeja pse ne përgjithësisht jemi të shqetësuar. Në këtë rast bëhet fjalë për një tendencë të zgjatur të armatosjes së Serbisë me armë që janë nga vendet që tani po dalin si konkurrente edhe të Evropës edhe të NATO-s. Kjo është diçka që duhet të regjistrohet”, tha Gjukanoviq në Cetinje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Është një lëvizje konsistente e politikës që Serbia po e ndjek prej disa vitesh. Por besoj se ky fakt do të jetë ndihmë shtesë për të qartësuar më tej imazhin e rajonit të Ballkanit Perëndimor për disa çështje të rëndësishme politike tek adresat e BE-së dhe NATO-s”, tha Gjukanoviq.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se nuk ka vlerësim se Serbia është për ta kërcënim për sigurinë, dhe vlerësoi se lufta në Ukrainë ka treguar se sado larg që është, ajo ndikon në ekonominë e vendeve të rajonit.
“Lufta në Ukrainë ka treguar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë evropiane,” tha Pendarovski.
Gjukanoviq theksoi se Mali i Zi dhe Maqedonia janë vende mike dhe partnere dhe shtoi se Mali i Zi po ndjek problemet me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt arritjes së qëllimit evropian.
“Mali i Zi është i përkushtuar që hapi i parë në intensifikimin e agjendës evropiane për Ballkanin Perëndimor të fillojë me negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne besojmë se kjo mund të ndodhë gjatë presidencës së Francës në BE. Në të gjitha këto ne kemi pritjet tona. As ritmi ynë i afrimit me Evropën nuk është ai që duam të jetë,” vuri në dukje ai.
Ai kujton se nxitja që duhet të vijë nga Brukseli dhe qendrat tera politike evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“Ne presim që paralajmërimi që Evropa mori për çështjen e sigurisë përmes agresionit rus në Ukrainë do të mund të sigurojë fokusin afatgjatë të BE-së dhe institucioneve të saj në zgjerimin e mëtejshëm dhe bashkimin e vendev të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Gjukanoviq./The Geopost