
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili ndodhet në Stamboll, ka komentuar për Agjencinë Anadolija anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Serbi, e cila pasoi pasi Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mbyllën hapësirën ajrore për aeroplanin e Lavrovit.
I pyetur nëse pret një akt armiqësie apo hakmarrjeje nga Rusia për shkak të vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanin e Lavrov, Gjukanoviq u përgjigj:
“Ju sigurisht e dini se Rusia tashmë e ka futur Malin e Zi në listën e vendeve armike”, tha Gjukanoviq.
Ai tha se ishte një kthesë historike mjaft radikale, duke kujtuar se Mali i Zi dhe Rusia festuan tre shekuj të marrëdhënieve ndërshtetërore disa vjet më parë.
“Mali i Zi nuk ndërmerr asnjë politikë rusofobe, as nuk ka ndryshuar respekti që kemi për Rusinë, për popullin rus dhe për traditën e marrëdhënieve tona të ndërsjella. Ajo që ne dënojmë është politika e agresionit,” tha Gjukanoviq.
Ai shtoi se masat që po marrin janë në përgjigje të agresionit dhe janë plotësisht 100% në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Kjo përpjekje e ministrit Lavrov për të marrë pëlqimin e vendeve anëtare të NATO-s, të cilat kanë harmonizuar 100% politikën e tyre të jashtme me BE-në, për të marrë leje për të fluturuar mbi territoret tona, është thjesht politizim dhe përpjekje për të krijuar iluzionin e një atmosfere rusofobike. Jam i sigurt se ministri Lavrov, nëse do të ishte vërtet serioz për vizitën në Serbi, e dinte se cila do të ishte përgjigja e vendeve në linjën ajrore midis Moskës dhe Serbisë”, përfundoi Gjukanoviq./RTCG