Ndërsa fokusi i luftës së Rusisë në Ukrainë po zhvendoset në lindje, forcat ruse po mbushin terrenin me mina tokësore. Gjashtë gra ukrainase kanë filluar trajnimin në Kosovë për të çaktivizuar mjetet shpërthyese në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta.
Ato janë grupi i parë i çminuesve ukrainase që po stërviten nga qendra MAT Kosova, në qytetin e Pejës.
Instruktorët po u mësojnë gjashtë grave ukrainase se si të asgjësojnë municionet e pashpërthyera, të tilla si bombat thërrmuese, fushat e minuara dhe mbetje të tjera shpërthyese. 20 vjeçarja Anastasiia Minchukova thotë se iu bashkua trajnimit për të ndihmuar vendin e saj.
“Në Ukrainë ka një kërkesë të madhe për njerëz që dinë të bëjnë çminimin, sepse lufta do të përfundojë së shpejti. Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë dhe them se do të jem e dobishme të ndihmoj”.
38 vjeçarja Yuliia Katelik është nënë e tre fëmijëve nga Kramatorsku.
“Si nënë e kuptoj që ka një problem me minat që është mjaft serioz sidomos për fëmijët. Ne përballemi me një përqendrim të lartë të përhapjes së llojeve të ndryshme të mjeteve shpërthyese dhe duhet të punojmë për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të të gjithë njerëzve”, thotë ajo.
Ekspertët thonë se trupat ruse kanë shpërndarë mina të shumta pas tërheqjes së tyre nga veriu i Ukrainës tani që po përqëndrohen në lindje, duke përfshirë variante me sensorë të ndjeshëm që mund të shpërthejnë nëse dikush u afrohet, edhe pa i prekur.