Gazetarë të lirë rusë që janë detyruar të largohen nga vendi, të gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, e cila pezulloi punën pas paralajmërimeve nga autoritetet ruse, kanë nisur një botim të ri në Letoni.
Numri i parë i Novaya Gazeta.Europe u shfaq më 6 maj në kioska në Riga dhe në edicionin online.
Është botuar në bashkëpunim me një shtëpi botuese letoneze dhe redaktorë të lirë të Novaya Gazeta.
Botimi u shfaq si në rusisht ashtu edhe në letonisht dhe shkruan gjerësisht për luftën ruse në Ukrainë.
Redaktorët thanë se botimi ishte krijuar për t’u shfaqur në stendat e gazetave në prag të festimit të Ditës së Fitores më 9 maj në Rusi. Data e publikimit të edicionit të ardhshëm të shtypur nuk dihet për momentin.
“Nëse lexuesve tanë u pëlqen ajo që bëjmë dhe na mbështesin, ne do të konsiderojmë botimin e një botimi javor të Novaya Gazeta”, tha Kiril Martinov, i cili drejton botimin e ri.
“Shpresoj që kopjet e gazetave do të gjejnë rrugën e tyre për në Rusi, madje edhe në mënyrë të paligjshme,” shtoi ai.
Gazeta e Moskës, e redaktuar nga fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, tha më 28 mars se po pezullonte punën pas marrjes së paralajmërimeve nga rregullatori shtetëror i komunikimeve të Rusisë.
Autoritetet ruse nisën një sulm masiv ndaj mediave të pavarura pas vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të kryer një pushtim të plotë të Ukrainës.
Shtëpia botuese Rigas Vilni, e cila boton gazetën, tha se Novaya Gazeta.Europe ishte “një botim i krijuar nga gazetarë të lirë rusë që u detyruan të emigronin”.
“Është këndvështrimi i tyre i pavarur për ngjarjet e luftës në Ukrainë dhe zhvillimet në Rusi”, shtoi ai.
Medusa, një tjetër portal i pavarur lajmesh, ka punuar në Riga që nga viti 2014 për të shmangur kontrollin nga autoritetet ruse./RSE