
Ministrat e Jashtëm të Grupit G7 e paralajmëruan Rusinë të dielën se ajo do të përballet me “pasoja masive” dhe kosto “të rëndë” në rast se Moska fillon një sulm ushtarak ndaj Ukrainës. Paralajmërimi erdhi gjatë takimit të G7-tës në Liverpull të Anglisë, ku pjesëmarrësit thanë se ishin të bashkuar në dënimin e përforcimit ushtarake të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën.
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Agresioni i mëtejmë ushtarak kundër Ukrainës do të kishte një përgjigje me pasoja masive dhe kosto të rëndë”, thanë përfaqësuesit e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë në një deklaratë të përbashkët.
“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe të drejtën e çdo shteti sovran për të përcaktuar të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratë.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se Rusia mund të përgatis një ofensivë në shumë fronte në Ukrainë në fillim të vitit 2022, me një përfshirje të 175,000 trupave.
Kremlini mohon se po planifikon të pushtojë pjesë të tjera të Ukrainës. Ai pretendon se Perëndimi është i mbërthyer nga “rusofobia”. Moska thotë gjithashtu se zgjerimi i NATO-s kërcënon Rusinë dhe se nuk po i respekton garancitë e dhëna kur u shkatërrua Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Një deklaratë e lëshuar nga Ambasada Ruse në Londër më 11 dhjetor në mbrëmje tha se përdorimi i shpeshtë i frazës “agresion rus” nga Britania gjatë takimit në Liverpool ishte corientues dhe i sajuar për të krijuar një kauzë pas së cilës do të qëndrontë Grupi G7.
“Rusia i ka bërë oferta të shumta NATO-s për mënyrat e uljes së tensioneve,” tha ambasada ruse. “Forumi i G7-tës mund të jetë një mundësi për t’i diskutuar ato, por deri më tani nuk dëgjojmë asgjë përveç slloganeve agresive.”
Përndryshe, Kremlini tha më 12 dhjetor se Putini ka kërkuar një takim personal me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden. Ai tha se kishte “ndryshime serioze konceptuale” në ato që Moska i konsideron si “vijat e saj të kuqe” ndërkombëtarisht.
Presidenti amerikan Biden e përsëriti më 11 dhjetor paralajmërimin e tij se Rusia do të përballet me pasoja shkatërruese ekonomike nëse e pushton Ukrainën.
Biden, i cili foli me Putinin në një videokonferencë më 7 dhjetor, tha se ai “e bëri absolutisht të qartë se nëse ai lëviz në Ukrainë, pasojat ekonomike për ekonominë e tij do të jenë shkatërruese”.
Pozicioni i Rusisë në botë, tha Biden, do të ndryshojë “dukshëm” në rast të një inkursioni, tha ai, duke folur në Villmington, Delavere.
Në takimin e G7-ës të mbajtur dje ministrat diskutuan gjithashtu për rritjen e aktivitetit ushtarak të Kinës në rajonin Indo-Paqësor dhe negociatat në Vjenë që synojnë ringjalljen e një marrëveshjeje për të kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit.