Policia e Kosovës ka njoftuar se në Veri të Kosovës janë gjetur fletushka të cilat udhëzojnë serbët e komunave veriore se si të rezistohet dhe si të sulmohet Policia e Kosovës. Fletushkat janë shpërndarë të hënën nga e një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, përmbajtja e të cilave është nxitëse dhe inkurajon qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.
Në raportin e rregullt 24-orësh, Policia tha se fletushkat u shpërndanë në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme.
“Raportohet se persona të panjohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën e nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, fetar, racor, etnik. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.
Policia e Kosovës këto fletushka i ka vërejtur pas përfundimit të një proteste të serbëve të Kosovës që dolën në rrugë për të protestuar kundër rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“Dyshojmë se dje (E hënë 12.02.2024) gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërndarë dhe ne kemi hasur në to më vonë. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hapur rasti ‘thirrje për rezistence dhe nxitje e urrejtjes’”- ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, për mediat në Kosovë.
Fletushkat, që janë nënshkruar nga “Mbrojtja Popullore”, të cilat janë shpërndarë në kanale të ndryshme në Telegram, përmbajnë udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës. Ndër të tjera, në këto fletushka, thuhet se Policia e Kosovës duhet të qëllohet me ndonjë mjet, të pështyhen pjesëtarët policorë e të ofendohen. Pastaj, të thyhen makinat policore me ndonjë mjet si dhe jepen instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe të ngjashme.
Për dinarin serb, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit, e as ndalimin e mbështetjes që Serbia jep për serbët e Kosovës përmes dinarit.
/The Geopost