Të dhënat rreth ekonomisë ruse për gushtin sugjerojnë një rënie të theksuar të të ardhurave nga eksportet e naftës dhe gazit. Suficiti buxhetor i Rusisë për vitin 2022 është “avulluar” pas një rënie të mprehtë të eksporteve të energjisë në muajin gusht që çoi në një deficit mujor deri në 360 miliardë rubla.
Rusia regjistroi një suficit prej afro 500 miliardë rubla në shtatë muajt e parë të vitit. Por totali kumulativ ra në vetëm 137 miliardë rubla muajin e kaluar, duke sugjeruar një deficit të madh për gushtin, të cilin ekonomistët ia atribuuan rënies së shpejtë të të ardhurave nga nafta dhe gazi.
Suficiti i Rusisë në gjashtë muajt e parë të vitit arriti në 1.37 trilionë rubla, duke krijuar një “mur lufte”, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë. Flukset e gazit rus në Evropë kanë rënë në rreth 1/5 e dërgesave në krahasim para pushtimit të Ukrainës.
Në fillim të shtatorit, Federata Ruse tha se do të mbyllte për një kohë të pacaktuar gazsjellësin “Nord Stream I”, i cili kalon nën Detin Baltik deri në Gjermani, nëse Perëndimi nuk heq sanksionet e vendosura për pushtimin e Ukrainës nga Moska.
Përkeqësimi i mprehtë i financave të shtetit rus vjen pasi ushtria e tij po pëson humbje në verilindje të Ukrainës, në pengesën më të madhe ushtarake që nga marsi, kur humbi betejën për Kyivin.
Sipas të dhënave, të ardhurat nga nafta dhe gazi, të cilat përbëjnë gati gjysmën e të ardhurave buxhetore të marra deri më tani këtë vit, ranë me 18 për qind nga viti në vit në periudhën janar-gusht 2022.
BE-ja ka ndaluar gjithashtu importet e qymyrit rus, ndërsa ndalimi i importeve të naftës bruto ruse do të hyjë në fuqi në dhjetor. Të ardhurat veç naftës dhe gazit natyror gjithashtu ranë në mënyrë drastike, me 37 për qind nga viti në vit, në periudhën janar-gusht, siç tregojnë shifrat.
Fillimisht, Rusia tregoi elasticitet në trajtimin e ndikimit të sanksioneve, duke përfshirë ngrirjen e gjysmës së rezervave të saj valutore. Por gjiganti energjetik Gazprom, i cili mban monopolin shtetëror të gazit natyror të Rusisë, tha në fillim të këtij muaji se prodhimi ra 15 për qind nga viti në vit në tetë muajt e parë të vitit.
Eksportet, të cilat shkojnë kryesisht në Evropë, ranë me më shumë se një të tretën. Të ardhurat duket se do të arrijnë nivele edhe më të ulëta pasi Rusia pezulloi “Nord Stream I”, një nga tubacionet kryesore të gazit natyror në Evropë, në fillim të shtatorit.
Ekonomia e Rusisë u tkurr me 4.3 për qind në muajin korrik 2022 në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Ekonomisë. Analistët në Aton, presin që ekonomia të tkurret më tej me 5 për qind në vitin 2023 për shkak të rënies së prodhimit të energjisë.
Banka Qendrore e Rusisë tha se do të tregohej e kujdesshme për perspektivën ekonomike në një raport të publikuar javën e kaluar mbi ekonominë rajonale, duke vënë në dukje se eksportet ka të ngjarë të shënojnë rënie.
Politikëbërësit monetarë të Rusisë ngritën normat e interesit në një rekord prej 20 për qind dhe futën kontrollet e kapitalit për të shuar një sulm të mundshëm ndaj rublës në ditët pas shpërthimit të luftës.
Kostot e huamarrjes kanë rënë gradualisht që atëherë dhe tani janë në 8 për qind. /Financial Times/