
Gabriel Escobar
Duam të sigurohemi që Bosnja dhe Hercegovina do të mbetet e pavarur, sovrane dhe në tërësinë e saj territoriale, tha të hënën në Sarajevë, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) pas takimit me tre anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, raporton N1.
Eskobar arriti në kryeqytetin boshnjak të dielën, pasi zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmëroi për “kërcënim ekzistencial” nga veprimet e liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.
Eskobar vlerësoi se takimi i tij me Millorad Dodikun ishte produktiv.
“Më vjen mirë që pata një takim produktiv me Dodikun. Ai ishte i hapur për të diskutuar për tërheqjen e të gjithë legjislacionit që do të dobësonte institucionet qendrore të shtetit në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën për çështjet e integrimit ekonomik”, tha Eskobar një një konferencë për shtyp pas takimit.
Ai vuri në dukje se kriza të tilla politike vetëm sa e dobësojnë besimin e investitorëve në ndaj këtij vendi.
“Bosnja dhe Hercegovina ndanë mundësitë ekonomike me Ballkanin dhe Evropa e njeh Ballkanin si një zonë mundësish”, vlerësoi Eskobar.
Anëtari i presidencës boshnjake, Shefik Xhaferoviq, pas takimit me Eskobarin theksoi se askush në BeH nuk ka të drejtë të shkatërrojë në mënyrë të njëanshme nivelin e arritur të reformave dhe strukturën e institucioneve të saj.
Sipas N1, Xhaferoviqi tha se Eskobari e dha një mesazh shumë të rëndësishëm se Bosnja duhet të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, duke përmbushur detyrimet nga Opinioni i Komisionit Evropian dhe nga programi i miratuar i reformave.
“Gjëja tjetër e theksuar nga Eskobari është bashkëpunimi ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë ekonomikisht në tregun rajonal, në kuadër të procesit të Berlinit nën kujdesin e BE-së”, tha Xhaferoviqi.
Ai vlerësoi se bllokada aktuale e institucioneve të BeH është absolutisht e papranueshme, duke shtuar se rruga e BeH është të zbatojë reformat, të bashkëpunojë në rajon për këto parime dhe të ndjekë rrugën evropiane.
“SHBA beson se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një prioritet jo vetëm për ne, por edhe për Bashkimin Evropian”, tha kryetari i Presidencës së BiH, Zheljko Komshiq pas takimit me Eskobarin.
“Kam përshtypjen se i dërguari i SHBA-së, i cili padyshim ka mbështetjen e niveleve më të larta për gjithçka që trajton, ka një pasqyrë shumë të qartë të situatën në terren”, tha Komshiç.
“Diskutimet për luftën janë të pabaza dhe të gjithë ata që flasin për luftë duhet të jenë objekt i forcave ndërkombëtare”, tha anëtari i Presidencës serbe të Bosnjës Milorad Dodik pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, duke shtuar se ai e njohtoi atë me planet e entitetit të Republikës Srpska për të tërhequr nismat për ushtrinë shtetërore, gjyqësorin shtetëror, si dhe sistemin e taksave indirekte.
“Ne paraqitëm pikëpamjet tona për çështjet e hapura në BeH. Edhe ai, edhe unë besojmë se tema e luftës nuk ka asnjë bazë reale. Për luftë folën vetëm ata që donin të thellonin atmosferën e mosbesimit. I ofrova Eskobarit një gjë, që të gjithë ata që tundin armët të jenë objekt i ndërhyrjeve të shpejta që do të çojnë në ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare kundër tyre dhe që askush të mos i përdor armët kundër të tjerëve. Të gjitha proceset duhet të jenë politike dhe askush nuk duhet ta marrë luftën si opsion për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, përfundoi Dodik.