Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje në Beograd u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit Gabriel Escobar dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak. Pas takimeve të ndara, u mbajt edhe një takim trepalësh, ku tema të diskutimit ishin dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, stabiliteti në rajon dhe progresi ekonomik i Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Vuçiq tha se Serbia është një partner serioz dhe i besueshëm në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe se po i përmbush detyrimet e saj, ndërsa në të njëjtën kohë has në “përpjekje të vazhdueshme nga autoritetet në Prishtinë për të shmangur përmbushjen e detyrimeve të tyre përmes provokimeve të njëanshme dhe pritjeve joreale nga ndërmjetësuesit e dialogut për rrjedhën e mundshme të bisedës.”.
Nga ana tjetër, diplomatët amerikanë dhe evropianë theksuan se mbështesin vazhdimin e dialogut konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksuan rëndësinë që të dyja palët të përmbushin obligimet e tyre nga dialogu, si dhe përcollën mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Lajçak theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja punojnë ngushtë së bashku dhe ndajnë të njëjtin vizion kur bëhet fjalë për procesin e dialogut dhe të ardhmen e të gjithë rajonit të BE-së, duke shtuar se përpjekjet e tyre synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani.
Po ashtu, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka takuar sot Lajçakun dhe Eskobarin, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
Me këtë rast Daçiq ka theksuar se beson se zgjedhjet do të organizohen edhe në Kosovë dhe me atë rast ka kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja që të përdorin autoritetin e tyre për të ndikuar te autoritetet e Kosovës që ta mundësojnë këtë.
Ambasada e SHBA-së në Serbi ka bërë një njoftim sot, përmes një postimi në Twitter, ku thuhet se BE-ja dhe SHBA-ja janë duke bashkëpunuar ngushtë për realizimin e së ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë, si vizion i tyre të përbashkët.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella është një hap i rëndësishëm”, shtoi ambasada amerikane në një postim në Twitter.
Eskobar dhe Lajçak u takuan sot edhe me ministrin e Jashtëm Nikola Selakoviç.
Selakoviq u tha gjithashtu bashkëbiseduesve se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën dhe është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi që do të jetë reciprokisht e pranueshme.
Escobar dhe Lajçak vizituan Kosovën më 31 janar, ku zhvilluan një sërë takimesh me zyrtarë të Kosovës. Në një bisedë me ta, ata thanë se procesi i dialogut ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së dhe ritheksuan se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës nuk janë në pikëpyetje.
“Në këtë rast, ne inkurajojmë të gjitha palët që të shikojnë Ballkanin Perëndimor si anëtarë të ardhshëm të mundshëm të BE-së, të cilët do të jenë në paqe me njëri-tjetrin. Dhe shpresa më e mirë për këtë është dialogu,” tha Escobar në një konferencë shtypi pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton RFE.
Lajçak dhe Escobar do të qëndrojnë sot në Beograd, ndërsa axhenda e takimeve dhe konfernecave është paraparë të vazhdojë edhe pasdite.