I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se të gjitha marrëvëshjet e deritanishme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen.
Escobar i bëri këto komente në një konferencë për media, e cila u mbajt në Prishtinë, në fund të vizitës së përbashkët që ky i fundit kishte me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ndër temat e shumta që u diskutuan mes diplomatëve perëndimorë dhe autoriteteve kosovare ishte edhe marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne nuk kem ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, tha Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun.
Lajçak, në anën tjëtër, tha se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.
“Nëse duam t’i japim fund ekzistencës së strukturave paralele [serbe në Kosovë], nëse duam transparencë në rrjedhat financiare, nëse duam rregulla të qarta në veri, këto mund të bëhen të gjitha brenda sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, tha Lajçak.
Ai më tëj shtoi se pala kosovare nuk duhet të ketë frikë nga diçka që nuk ekziton e nuk do t’ua imponojë askush.
“Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”
Lajçak u shpreh se komuniteti ndërkombëtar priste që në vitin 2021 të kishte një përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe shpreson që kjo gjë do të ndodhë në vitin 2022.
Escobar, ndërkaq, tha se shpreson që në fund të këtij procesi të ketë një zgjidhje që do të funksionojë, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor përsëriti mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës./The Geopost/