
Ende nuk ka epilog për vdekjen e katër shtetasve rusë të gjetur pa shenja jete në ambientet e saunës së një hoteli në Qerret të Kavajës më 15 tetor të këtj viti. Mbetet si një përfundim tragjik misterioz, ndërsa ka shumë hamendje nëse bëhet fjalë për vrasje të qëllimshme të sofistikuar nga ana e autoriteteve ruse, pasi që njëri nga të vdekurit del të ketë qenë ish-ushtarak rus.
Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço, ka ngritur indirekt hipotezën se shteti rus mund të ketë gisht në këto vdekje. “Pista është vrasje për shkak të background-it që ka pasur njëri prej këtyre personave,” ka deklaruar Karamuco për Top Channel.
“Nuk mund të them se ështe vrasje shtetërore, por mund të them se ështe vdekje shumë e dyshimtë. Do të shohim çfarë do të thonë laboratoret tona, që përndryshe janë shumë modeste. Ato mund të gjejnë shkakun, por nuk do të gjejnë spektrin se kush ështe faktori determinant që ka çuar në këtë çrregullim madhor me ndërprerje të funksioneve jetike dhe vdekjen e të 4 personave përnjëherë,” tha ai.
Ai beson se mund të jenë përdorur vektorë të padetektuëshëm për momentin të cilët nuk është e thënë të jenë përdorur aty në hotel por të jenë përdorur më parë.
Përndryshe, pasi që turistët kishin arritur në hotel, janë nisur për t’u relaksuar në ambientet e dedikuara për sauna. Kishin porositur pije, por kur kamarieri ka shkuar që t’ua dorëzonte ato, ai i ka gjetur ata pa shenja jete.
Natalia (Natalya) Burenkova (58), Sergei (Sergey) Burenkov (60), Nikita Belousov (37) dhe Ekaterina Burenkova (31) ishin të gjithë nga një familje.
Sipas Raportit të Policisë, vdekja e këtyre personave ka ndodhur si pasojë e asfiksimit nga doza e lartë e klorit në saunë.
Gjithsesi, çka e bën këtë ngjarje të dyshimtë është cilësimi i saj si “vrasje” nga ekipi hetues. Burime jozyrtare kanë treguar se trupat e pajetë nuk ishin gjetur në sauna, por në pishinën e brendshme të hotelit, ku nuk ka pasur aq shumë avuj sa të shkaktonin asfiksimin e 4 personave njëherësh.
Dyshimet për vrasje janë shtuar pasi që u zbulua e kaluara e Sergey Burenkovit (njërit nga viktimat) si ish gjeneral në ushtrinë ruse.
Përpos reagimit nga njohës të fushës, nuk kanë munguar as reagimet nga miqtë e viktimave. Për medien ruse “Kuryer Sreda”, ka folur Anastasia, mikesha e Sergey Burenkovit.
“Punonim së bashku. Jam e shokuar. Diçka i ka ndodhur, jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Po shkruhen gjëra pa kuptim, ndoshta nuk e marrim vesh kurrë se si vdiqën” , është shprehur ajo.
Kjo ngjarje nuk është ende histori e përfunduar, dora e fshehtë ende nuk është zbuluar. Vdekje të mistershmë të shtetasve të rëndësishëm rusë, jashtë Rusisë, janë shënuar edhe më parë, siç ka qenë rasti në Salisbury, në Britaninë e Madhe, ku është përdorur helmi “Novichok”. Në pyetje ishin persona me profil të përafert me atë të Sergei Burenkovit.