Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunë n (20.08.2022) në Uzinën e Çekinit të Gramshit (ish-uzina mekanike e Armëve), ku dy rusë dhe një ukrainas kanë sulmuar me spray kimikë ushtarët që ruanin vendin.
Dy ushtarë të identifikuar si Aldo Bici dhe Ardian Caka kanë mbetur të plagosur por për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e siguruara nga “Top Channel” bëhet me dije se tre personat janë kapur nga policia dhe ndodhen në komisariat.
Hetimet kanë nisur nën drejtimin e prokurorit Kreshnik Ajazi, ndërsa të përfshirë janë edhe Antiterrori, SHISh dhe Shërbimi sekret i Ushtrisë.
Prokuroria thotë se rusët ishin duke bërë foto dhe tentuan të hyjnë në perimetrin e uzinës. Ende nuk është e qartë se çfarë janë apo synimet që kanë pasur.
Në rast se do ishin turistë thotë prokuroria, nuk do reagonin me neuroparalizues, por do hetohet për të mësuar së cilët janë dhe synimet e tyre.
Në uzinën mekanike të armëve në Gramsh nuk prodhohen armë që prej vitit 1993. Më pas pati vetëm montime dhe rregullime të armëve deri në vitin 2004.
Në këtë uzinë më vonë nisi procesi i demontimit të armëve, i cili ka zgjatur deri para një viti. Gjithsesi uzina ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë që ruhet nga ushtria shqiptare.
Si ndodhi ngjarja në Uzinën e Gramshit
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se rreth orës 17:40 të ditës së shtunë, 20 gusht, roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka nisur të largohet.
Në momentin që personi është ndaluar iu është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar.
Pas kapjes së personave, policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zonë të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar në komisariat.
Të tre personat janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera ka vijuar hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.
Në vendngjarje kanë qenë edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Spiunët e GRU në Shqipëri? Në Gramsh teste për prodhimin e fishekëve 5.56 mm, përdoren nga NATO
Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit bashkë me shërbimet sekrete janë duke hetuar disa pista në lidhje me tre rusët e kapur në uzinën ushtarake të Gramshit.
Një burim pranë këtyre hetimeve i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se me të gjitha gjasat kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU me mision të pastër spiunazhi në vendin tonë.
Të kamufluar si blogerë të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione spiunazhi.
Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme.
Një burim nga ushtria shqiptare në kushtet e anonimatit i tha Top Channel se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit 5.56 mm.
Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S.
Ka dyshime të forta se synimi këtij grupi rus zbulimi me mision spiunazhi, synonte të zbulonte progresin e Shqipërisë pikërisht në prodhimin e fishekut 5.56 mm.
Prej kohës shërbimet inteligjente shqiptare kanë zbuluar se GRU ka edhe një degë aktive në Malin e Zi nga ku urdhërohen e drejtohen operacionet e spiunazhit brenda territorit të Shqipërisë.
Ndërsa agjencia ruse e inteligjencës SVR, e cila merret me misione zbulimi jashtë Rusisë përmes një stacioni sekret në Nish, kamufluar si Qendra Humanitare Serbo-ruse, është angazhuar në misione zbulimi në Shqipëri.
Banorët rrëfejnë si ndodhi ngjarja: Kishin hyrë nga pas, rusja u largua në këmbë
Banorët e fshatit Çekin në Gramsh që jetojnë pranë Uzinës kanë treguar sesi u futën dy rusët dhe ukrainasi brenda zonës së mbrojtur ushtarake.
Për Top Channel ata treguan se rusët u futën nga pjesa e pasme e uzinës, pasi aty është lehtësisht e kalueshme. Një banor tregoi se edhe ata ndërhynë pas ngjarjes, ndërsa rusja ishte shumë e qetë dhe po largohej në këmbë nga vendi i ngjarjes.
“Personi ka hyrë nga krahu këtej pas, jo kryesore. Këtu ndodhi ngjarja. E kapi ushtari brenda, u hodh ai pastaj. Ndërhyrëm ne të fshatit pastaj ai përdori spraj. Goca kaloj aty pas në këmbë. Ajo kaloi tek këmbët e mia, ishte e qetë”,tregon një banor.
Një tjetër banor tha se të hysh brenda uzinës është tepër e lehtë edhe për faktin se mungojnë rojet. Ai tha se më parë ishte e vështirë të hyjë sepse e gjithë zona ka qenë e rrethuar me roje.
“Di që nja tre veta hyrën tek uzina. Atë makinën e kam parë ka nja dy ditë që vjen këtu. Se di gjendjen si është. Nga rrethimi i uzinës është shumë e lehjtë të hysh se rojet kanë ikur, Nuk ruhet uzina me dy roje. Aty ka qenë plot me roje, madje ka pasur edhe roje rezervë. Ka qenë shumë e rrezullt dhe nuk ka pasur incidente të tjera”, thotë banori tjetër.
Dyshimet e autoriteteve shqiptare/ I fejuari i 33-vjeçares i ndaluar në Egjipt për spiunazh
Svetlana Timofeevaa 33 vjeç, Mikhail Zorin 23 vjeç dhe një 25 vjeçar kanë hyrë në mënyrë të ligjshme në Shqipëri dhe kanë qenë në bregdet dhe në Korçë para se të mbërrinin në uzinën e Gramshit.
Ata janë të pajisur me pasaportë ruse dhe ukrainse. Tre të huajt e ndaluar për sulmin në uzinën e Gramshit kanë deklaruar para hetuesve se janë blogerë dhe se kanë pasion fotografinë aktivitet të cilin e kanë kryer në shumë vende të botës. Për këtë ata kanë depozituar dhe prova.
Por pavarësisht këta autoritetet dyshojnë për një rrjet spiunazhi prandaj sendet personale të të ndaluarve janë sekuestruar dhe janë çuar në laborator për të zbuluar funksionin e vërtetë të tyre.
Mes pajisjeve teknologjike të sekuestruar janë celularët e të ndaluarve, aparate fotografikë, video-regjistrues, pajisje të dyshuara përgjuese, kamera të fshehta etj.
Para mbërritjes në Shqipëri ata kanë qenë në Bullgari, Itali dhe Greqi. Svetlana Timofeeva pjesë e personave që u përfshinë në incidentin e Gramshit pasditen e të shtunës, nuk është një emër i panjohur për agjencitë inteligjente Europiane.
Ajo ka një histori interesante udhëtimesh nën shoqërinë e disa personave që pretendojnë se janë “fotograf”. Njëri prej tyre ish i fejuari i saj Arseniy Kotov pjesë e ushtrisë ruse, u arrestua më Kairo të Egjiptit në Janar 2022. Ai u tha autoriteteve të Egjiptit se ishte një bloger dhe u godit nga disa banorë lokal. Pas një ndërhyrje disa javore të Ministrisë së Jashtme Ruse ai u la i lirë për tu rikthyer në Rusi.
Për autoritetet shqiptare është e dyshimtë se pse 3 rusët shkuan në uzinën e Gramshit. Aktualisht kjo uzinë është konservuese por në të ardhmen mund të rijetëzohet.
Policia jep detaje: Përfundon hetimi, po ekzaminohen mjetet e sekuestruara (akuzat)
Policia e Elbasanit jep një tjetër deklarate zyrtare për ruset e ndaluar ne Gramsh
Sipas policisë kanë përfunduar hetimet ndërsa vijojnë ekzaminimet e mjeteve që u gjetën në çantat e tyre si lap-top, dronë, celulare dhe mjete të tjera.
Akuzat e ngritura ndaj tyre janë “dhënie e informatave sekrete”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “sigurimi i informacioneve e kryer ne bashkëpunim”
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Rama: Rusët e kapur në uzinën e Gramshit të dyshuar për spiunazh
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në tuiter lidhur me dëmtimin e ushtarakëve shqiptarë në uzinën e Gramshit dhe ndërhyrjen e tre personave që dyshohet të jenë të spiunazhit rus.
“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!
Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, shkroi Rama.
Shtohen dyshimet për spiunazh, hynë në Shqipëri në tre drejtime të ndryshme, çfarë është zbuluar nga bisedat
Të tjera detaje janë zbuluar për tre shtetasit rusë dhe ukrainas, të arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas sulmit ndaj ushtarëve në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat mëson e Fiodor Mihailoviç, Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin kanë hyrë në Shqipëri nga drejtime të ndryshme dhe jo në të njëjtën kohë, ç’ka është edhe karakteristike për organizimin e një grupi spiunazhi nga shërbimet inteligjente.
Ata kanë hyrë nga Muriqani, Porti i Durrësit dhe aeroporti i Rinasit në data të ndryshme përgjatë muajit gusht.
Autoritetet kanë sekuestruar pajisje elektronike e dronë në të cilat janë gjetur foto të objektivave ushtarake dhe strategjike jo vetëm në Gramsh, por edhe në vende të tjera në Shqipëri.
Çka është edhe më serioze, të ndaluarve iu janë gjetur komunikime komprometuese. Sipas autoriteteve shqiptare në këto komunikime është dokumentuar aktiviteti i sigurimit të informacioneve sekrete qe cenojnë sigurinë kombëtare.
Për 3 të arrestuarit rëndojnë 3 vepra penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .
Gjetjet, grupi hetimor po i konsulton me NATO-n.
Arrestimet e rusëve në Shqipëri, ministrat e BE-së mblidhen në Pragë!
Policia shqiptare akuzoi zyrtarisht për spiunazh të dielën dy shtetas rus dhe një ukrainas, të arrestuar më parë për përpjekje për të hyrë në një zonë të kufizuar ushtarake dhe më pas spërkatje të rojeve ushtarake me spraj të dukshëm paralizë nervore.
Më herët atë ditë, katër persona me kombësi çeke u arrestuan për hyrjen në një fabrikë ushtarake të zhdukur në Poliçan në jug të vendit. Këto incidente vijnë pikërisht në mesin e një dileme të vazhdueshme të vendeve të BE-së lidhur me bindjen ndaj thirrjeve të Ukrainës për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë në bllok, thotë Euractiv.
Letonia, Lituania dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave të reja turistike për shtetasit rusë menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini. Finlanda njoftoi javën e kaluar se do të zvogëlojë përpunimin e vizave në vetëm 10% të rasteve të mëparshme. Vendet e tjera të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Portugalinë, kanë zgjedhur një qasje më të kujdesshme. Ukraina po i bën presion BE-së që të ndalojë hyrjen e turistëve rusë në bllok, por ka hasur në reagime të ndryshme.
Çështja do të diskutohet në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Pragë në 31 gusht, teksa blloku 27 anëtarësh po peshon mundësinë e daljes me një qëndrim të unifikuar lidhur me vizat afatshkurtra për shtetasit rusë. Incidentet e fundit vijnë në kohën kur anijet ruse po kryejnë një sërë manovrash në detin Adriatik.
Sipas të dhënave të radarëve detarë dhe një interviste në La Repubblica me Shefin e Shtabit të Mbrojtjes, Admiralin Cavo Dragone, tre njësi të ndryshme ruse hynë në zonë javën e kaluar. Ato përfshijnë shkatërruesin Admiral Tributus, anijen e inteligjencës Nikitic Tatishchev dhe kryqëzorin Varyag. Fregata Admiral Grigorovich ka operuar në detin Jon.
Rreziku nga spiunazhi rus; historia nga dëbimi i diplomatëve në 2018 deri tek sulmi në Gramsh
Përpjekja e rusëve për të hyrë në ish-uzinën e prodhimit të automatikëve kallashnikov në Gramsh, nuk është rasti i pari i dyshuar për aktivitet spiunazhi.
Në mars të 2018-ës qeveria shqiptare dëboi dy diplomatë rusë nga vendi, pasi veprimtaria e tyre ishte në shkelje të statusit diplomatik.
Dy diplomatët e dëbuar nga Shqipëria ishin Sekretari i Parë i Ambasadës Aleksey Balashov si dhe Atasheu Ushtarak Vladislav Filippov.
Në shkresën dorëzuar ambasadës, në atë kohë qeveria u shpreh se vendimi ishte marrë për shkak të aktivitetit që nuk përputhej me statusin e tyre të diplomatit.
Por nga ana tjetër qarkulluan informacione se mund të ishin pjesë e një rrjeti agjenturor Kjo shënoi një përplasje të fortë diplomatike mes Moskës dhe Tiranës zyrtare.
Përplasjet vijuan edhe në janar të 2021, kur Tirana zyrtare vendosi të dëbojë një tjetër zyrtar rus të ambasadës për shkak se ky i fundit shkeli rregullat e protokollit të Covid-19. Edhe ky dëbim u shoqërua me hijet e dyshime për spiunazh.
Pas këtij vendimi, pala ruse në shenjë hakmarrjeje dëboi dy zyrtarë shqiptarë./ Mediat shqiptare