Në një kohë të tensioneve të mëdha për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, i cili rrezikon të përhapet në Ballkanin Perëndimor, Serbia furnizohej gjysmë fshehtas me armë kineze, për të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha vetëm pak ditë më parë se Serbia do të ketë armët më të fuqishme. Ai nuk specifikoi se kush për çfarë armësh bëhej fjalë dhe të kujt ishin.
Edhe pse Serbia është një vend që aspiron anëtarësimin në BE, veprimet e pushtetarëve të saj tregojnë një politikë dhe rrugë krejtësisht të ndryshme. Ngjarjet e fundit janë gjithnjë e më shumë kundër politikave të Bashkimit Evropian dhe Perëndimit. Në vitet e fundit, presidenti serb shpesh është mburrur me armë nga Kina, por sidomos me armë nga Rusia, deklaratat e tij mund të interpretohen si kërcënim për vendet e rajonit.
Si atëherë, e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Pyetja është nëse Serbia ka arsye të frikësohet gjatë luftës në Ukrainë, ndërsa e gjithë bota ka frikë nga lëvizja e presidentit rus Vladimir Putin, i cili kërcënoi, madje dy herë me armë bërthamore.
Megjithëse Serbia votoi për rezolutat e OKB-së që dënonin sulmet ruse në Ukrainë, ajo refuzoi t’u bashkohej sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikonte drejtpërdrejt krimet e dukshme të kryera nga ushtria ruse atje.
Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin për blerjen e sistemeve kundërajrore HK-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se Serbia, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe aleancat e tjera perëndimore, duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.
Sistemi raketor kinez krahasohet gjerësisht me mbrojtjen ajrore amerikane Patriot dhe sistemet ruse të raketave tokë-ajër S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër se S-300 më i avancuar.
Sistemi kinez i mbrojtjes ajrore i është dorëzuar Serbisë fshehurazi përmes gjashtë avionëve transportues Y-20 të aviacionit kinez, gjë që mund të konsiderohet një demonstrim i forcës.
Serbia do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë.
Reagimet e zyrtarëve të Kosovës për dërgimin e armëve kineze në Serbi
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas raportimit se Serbia ka blerë sisteme raketore dhe armë nga Kina, ai aktin e Serbisë e ka quajtur shkatërrues, të rrezikshëm dhe antiperëndimor.
“Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në një kohë kur BE-ja dhe NATO-ja dhe e gjithë bota e vlerave pro euroatlantike janë përballë sulmuesit të këtyre vlerave, Rusisë dhe aleatëve të saj. Nga kush është kërcënuar Serbia, apo kundër kujt është armatosur Serbia me sistemet më të avancuara të sulmit dhe mbrojtjes? Çfarë hipokrizie është kjo? Deri kur me këto standarde të dyfishta?”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Mehaj ka shtuar se Kosova vazhdimisht po reagon ndaj këtyre sjelljeve destruktive të Serbisë, por ka bërë thirrje edhe për NATO-n, BE-në dhe OKB-në që të reagojnë ndaj këtyre lëvizjeve të Serbisë.
Ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Ai tha se dërgimi i armëve nga Kina në Serbi përbën një kërcënim serioz, veçanërisht për Kosovën.
Dorëzimi i fundit i armëve nga Kina në Serbi, dhe më herët nga Rusia, përbën një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Blerim Vela, shefi i Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin për dërgimin e armëve kineze në Serbi, duke shtuar se duhet ndërprerë anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Ditën e dytë të dorëzimit të armëve kineze në Serbi: disa avionë PLAAF (Forca Ajrore Kineze) fluturuan mbi Bosfor në rrugën për në bazën ajrore Batajnica, versioni HK22 Red Banner SAMK për eksport u prodhua nga industria Shaanki Yellow River Group“, shkruan Vela në një deklaratë në Twitter./The Geopost