
Shpallja non-grata e dy diplomatëve rusë nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës është rikthyer në vëmendje pas raportimit se njëri nga rusët e dëbuar gjendet ende në Prishtinë. Lajmin e kanë demantuar menjëherë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) thuhet se personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
“MPJD, është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiencës”, thuhet në reagim.
Po ashtu Presidenca e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se rusi i shpallur non-grata nga ky institucion dhe Ministria e Punëve të Jashtme është parë në Prishtinë. Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, e ka quajtur “dezinformatë” lajmin se personi i njohur si Denis Vengerskii po qëndron në Kosovë, duke treguar se personi në foto është shoferi i zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë.
“Dezinformatë: Personi në foto është vozitësi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë dhe jo Denis Vengerskii. Zyrtaret e Zyrës Ndërlidhëse Ruse e kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës brenda 24 orëve nga shpallja persona non grata,” ka shkruar Vela në Tuitër.
Lidhur me rastin, më herët ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Sipas Policisë, bazuar në informacionet zyrtare të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit e kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me 23 tetor, përmes pikës kufitare në Merdare.
Tutje policia thekson se të njëjtit, nga ajo ditë nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.
Rikujtojmë që Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.
Ajo tha se i ka kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.
“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në një njoftim të presidentes Osmani.
Presidentja Osmani shpreh zotimin se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.
“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.
Nuk bëhet e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t’i shpallin persona të padëshirueshëm.
“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, thotë presidentja Osmani.
Akti i presidentes Osmani flet për mosbesimin kronik të politikës së Kosovës ndaj faktorit rus, por edhe për shtimin e mundshëm të aktivitetit të punkteve sekrete ruse në Kosovë dhe rajon.