Disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur gjatë natës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në mëngjesin e hershëm të së enjtes “është raportuar se në lokacionin e quajtur Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”.
Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar.
Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.
Djegia e këtyre kamionëve ndodhi pikërisht në ditën kur pritet të largohen barrikadat pas 20 ditësh bllokimi të rrugëve në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.
Pantiq u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak.
Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./REL/