Dezinformimi dhe propaganda janë disa nga mjetet kryesore që Rusia përdor në kohë krizash e konfliktesh, në mënyrë që të shtrembërojë të vërtetën e të krijojë një “realitet të ri” përmës këndvështrimit të saj.
“Arma e informacionit, natyrisht, përdoret në momente kritike, dhe lufta është gjithmonë një moment kritik. Dhe është luftë. Kjo armë është si të gjitha armët e tjera.” – është shprehje e thënë nga Margarita Simonyan, profili i së cilës lidhet drejtpërdrejt me njëren nga mediat më propaganduese ruse, RT (ish Russia Today), media kjo e financuar nga Kremlini.
Margarita Simonyan është një gazetare ruse dhe kryeredaktore e rrjetit televiziv të lajmeve RT në gjuhën angleze (ish Russia Today) dhe e agjencisë shtetërore të lajmeve ndërkombëtare Rossiya Segodnya.
Sipas një raporti special, të publikuar nga Qendra Globale e Angazhimit (GEC), RT dhe Sputnik kanë luajtur një rol të madh në përhapjen e dezinformatave ruse përgjatë viteve.
Në një intervistë kontradiktore të zhvilluar në qershor të 2013-ës, në studiot e RT-së në Moskë, Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se e përfytyron RT-në si një “kanal lajmesh absolutisht të pavarur”, por “kanali financohet nga qeveria, pra nuk mund të mos pasqyrojë qëndrimin zyrtar të qeverisë ruse për ngjarjet në vendin tonë dhe në pjesën tjetër të botës, në një mënyrë ose në një tjetër.”
“Pavarësia” e këtij mediumi mund të kuptohet qartë edhe nga qasja e vetë kryeredakores së tij, Margarita Simonyan.
Në prill të 2012-ës, kur ajo u pyet në një intervistë se si i balancon interesat shtetërore me objektivitetin gazetaresk, Simonyan u përgjigj: “Si në të gjitha kanalet e tjera, nuk ka objektivitet… kur Rusia është në luftë, ne jemi, natyrisht, në anën e Rusisë. ”
Zyra e Komunikimeve në Mbretërinë e Bashkuar (OfCom) gjobiti RT-në për shkeljen e rregullave të paanshmërisë bazuar në raportimin e saj për Ukrainën dhe atë gjatë helmimit rus të Sergei Skripal dhe vajzës së tij në vitin 2018-të me një armë kimike.
Sputnik, nga ana tjetër, është poashtu medium i kontrolluar nga shteti rus. Si Simonyan, ashtu edhe kryeredaktori i këtij mediumi, Anton Anisimov, nuk e ka problem të pranojë që subjketivisht raportojnë për shtetin rus.
Kur u pyet nëse Sputnik promovon këndvështrimin e Kremlinit, gjatë një sesioni trajnimi për gazetarët në vitin 2016-të, kryeredaktori i Sputnik, Anton Anisimov tha: “Quajeni propagandë nëse dëshironi”. Anisimov shpjegoi gjithashtu se punonjësit e tij e shihnin punën e tyre si pjesë të një lufte globale të komunikimit.
Pavarësisht se publikisht e krahasojnë veten me mediat ndërkombëtare si BBC, DW dhe VOA, deklaratat e udhëheqësisë së RT-së, Sputnikut dhe qeverisë ruse tregojnë qartë se ata punojnë në mbështetjen e politikave dhe synimeve të Kremlinit.
Ndryshe nga mediat kryesore ndërkombëtare, të cilat bazohen në fakte, RT dhe Sputnik nuk kanë as transparencë fiskale. Ata nuk publikojnë fletë buxhetore publike apo raporte të detajuara financiare vjetore, dhe publiku duhet të mbështetet në vlerësime të paqarta të shpallura herë pas here nga qeveria ruse. Sasia e kufizuar e informacionit që ata ofrojnë për buxhetet dhe shpenzimet është e vështirë të gjurmohet dhe shpesh përfshin shifra kontradiktore.
RT dhe Sputnik kanë cituar dhe raportuar rregullisht përmbajtje nga proxy-uebsajti i News Front, një medium dezinformues dhe propagandues me bazë në Krime, i udhëhequr nga FSB-ja ruse dhe i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për lidhjet e tij me inteligjencën ruse. News Front është një lojtar kyç në ekosistemin rus të dezinformimit dhe propagandës dhe synon të përhapë narrativa dezinformuese në mediat jo-ruse.
Ngjarje të shumta janë shtrembëruar nga këto dy mediume ruse dhe ka gjasa reale që kjo tendencë të vazhdojë edhe në këtë fazë, kur tensionet në mes të Rusisë dhe Ukrainës janë në cak të përshkallëzimit.
Marrim shembull disa prej shumë rasteve që këto mediume i kanë raportuar nga këndvështrimi propagandues rus.
Më 6 prill 2021, në një episod të emisionit “In Question” të RT-së, që raportonte në lidhje me historinë e një droni që vrau një djalë të ri, RT renditi arsye të rreme që justifikonin ngritjen ushtarake të Rusisë.
Një shembull tjetër është një episod i 16 prillit 2021 në emisionin “CrossTalk” të RT-së, ku një i ftuar pohoi se çdo vend në perëndim të Rusisë, përveç Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, tani është pjesë e NATO-s. Asnjëra prej këtyre deklaratave të rreme nuk kundërshtohet nga udhëheqësit e emisionit ose të ftuarit e tjerë, e as nuk korrigjohet në faqen e internetit të RT-së.
Ky artikull bazohet në informacione të publikuara në raportin e GEC-së.
The Geopost