Delegacionet ushtarake nga Rusia dhe Ukraina mblidhen në Stamboll më 13 korrik për t’u takuar me zyrtarë të OKB-së dhe ata turq, në një përpjekje për të thyer një ngërç vendimtar mbi eksportet e drithërave që ka rritur çmimet globale të ushqimeve.
Takimi i planifikuar katër-ditor vjen në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës dhe kapjes së porteve në Detin e Zi që më parë përdoreshin për të eksportuar grurë ukrainas.
Ndërsa çmimet kanë shkaktuar vështirësi në shumicën e vendeve të zhvilluara, shumë vende më të varfra, si ato në pjesën më të madhe të Afrikës, janë goditur nga mungesa e shtuar e ushqimit.
Ukraina ka qenë një eksportues kryesor i grurit dhe drithërave si elbi dhe misri. Ajo gjithashtu ka furnizuar pothuajse gjysmën e të gjithë vajit të lulediellit në tregjet globale.
Shumë në Ukrainë dhe Perëndim kanë akuzuar Moskën se po përpiqet të eksportojë drithë që ajo ka vjedhur nga fermerët ukrainas në rajonet që janë nën kontrollin e saj.
Një ide do të ishte që dërgesat të nisnin përgjatë korridoreve specifike mjete specifike do të drejtojnë anijet me grurë brenda dhe jashtë nëpër ujërat e minuara. Edhe nëse arrihet një marrëveshje, kompanitë e transportit do të kërkojnë më shumë siguri.
Plani do të kërkonte gjithashtu që Rusia të binte dakord për një armëpushim ndërkohë që dërgesat lëviznin dhe Turqia – me ndihmën e OKB-së – do të inspektonte anijet për të zbutur frikën ruse për kontrabandën e armëve.
Shefi i OKB-së Antonio Guterres më 12 korrik u përpoq të minimizonte pritshmëritë për bisedimet e Stambollit, duke u thënë gazetarëve se “ne vërtet po punojmë shumë, por ka ende një rrugë për të bërë”.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha se bisedimet do të përqendrohen “në dërgesën e sigurt në tregjet ndërkombëtare të grurit që presin në portet e Ukrainës”.
Pavarësisht se është anëtare e NATO-s, Ankaraja ka mbajtur marrëdhënie të mira me Kremlinin.
Turqia tha se ka 20 anije tregtare që presin në rajonin e Detit të Zi, të cilat mund të ngarkohen shpejt me grurë dhe të kalojnë në tregjet botërore.
Ukraina ka vlerësuar se deri në 25 milionë tonë drithë janë aktualisht të bllokuara në portet e saj.
Rimarrja nga Ukraina e ishujve të vegjël të Gjarpërinjëve, të ciltët ishin të pushtuar nga focat ruse, i ka mundësuar Kievit të nisë dërgesat e tij të para përgjatë lumit Danub afër Rumanisë. /Zëri i Amerikës/