Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Deklarata e Zelenskyt, SHBA: Agresioni rus ndaj Ukrainës vë në pah urgjencën për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor

The Geopost November 20, 2023 4 min read
Share the news

Agresioni i Rusisë në Ukrainë vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e punës së Uashingtonit për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë në pyetjen nëse SHBA-ja ndan shqetësimin me Bashkimin Evropian sa i përket një deklarate të bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se Moska dëshiron të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Më herët gjatë javës, Zelensky deklaroi për mediat afrikane se ai ka prova të synimeve të Moskës për të nisur një luftë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky më 15 nëntor.

“Raportet e tyre [të shteteve të Ballkanit Perëndimor] janë në krizë që një kohë të gjatë. Prandaj, Rusia do të investojë që të sigurohet që një shtet i Ballkanit [do të jetë] në luftë me një shtet tjetër”, shtoi ai.

Për synimet e tilla të Moskës u pajtua edhe BE-ja. Zëdhënës i BE-së, Peter Stano deklaroi se blloku për një kohë të gjatë ka thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, deklaroi Stano të premten, më 17 nëntor.

DASH tha se Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evropianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

“Sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit të enjten synojnë pikërisht këtë problem, ndërlidhjen e ndikimit malinj rus dhe korrupsionit. Që të dyja këto pengojnë përpjekjet e rajonit për të lëvizur drejt anëtarësimit në BE dhe drejt një të ardhme më prosperuese”, tha zëdhënësi i DASH-it në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ai iu referua sanksionimit të dhjetë personave dhe disa kompanive nga Ballkani Perëndimor të lidhur me ndikimin e Kremlinit në rajon. Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaciq e Nenad Popoviq nga Serbia.

Edhe në të kaluarën, SHBA-ja ka sanksionuar individë në Ballkanin Perëndimor për lidhjet e tyre me Rusinë.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar. Përveç Serbisë, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, u janë bashkuar sanksioneve evropiane të vendosura ndaj Moskës për shkak të luftës ndaj Kievit. Ndë

Autoritetet në Kosovë në të kaluarën kanë akuzuar Rusinë se po e nxit aleaten e saj, Serbinë, që të destabilizojë Kosovën. Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga Moska.

Po ashtu, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autoritetet po hetojnë përfshirjen e mundshme të Rusisë në këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Sveçla ka deklaruar se armë ruse dhe dokumente të tjera që janë gjetur në Banjskë, sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin ku u vra një polic i Kosovës. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë./REL

Continue Reading

Previous: Edhe BE e shqetësuar për përpjekjet e Rusisë për të nxitur një luftë në Ballkan
Next: Vrasësit e paguar dhe diversantët rusë po synojnë industrinë e armëve të Bullgarisë, thotë një manjat

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska 4 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska

The Geopost July 29, 2026
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi

The Geopost July 28, 2026
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe” 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”

The Geopost July 27, 2026
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë

The Geopost July 27, 2026
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi 6 min read
  • Botë
  • Lajme

Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi

The Geopost July 27, 2026
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara 4 min read
  • Botë
  • Lajme

Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara

The Geopost July 21, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.