
Rruga e migrimit ilegal është gjithmonë e vështirë, me rreziqe të mëdha e shpesh herë edhe me përfundime fatale. Por, javët e fundit ky skenar ka ndryshuar për aziatikët e interesuar për migrim në vendet e Bashkimit Evropian, si rezultat i krijimit të një kanali të ri migrimi, pas të cilit duket se qëndrojnë autoritete shtetërore të Bjellorusisë.
Si pjesë e trysnisë së koordinuar ndaj Bashkimit Evropian nga ana e këtij shteti autoritar, dhe në koordinim me Rusinë, Minsku ka hapur një mundësi qarkullimi të migrantëve nga vende të ndryshme aziatike drejt Bjellorusisë. Më pas migrantët udhëzohen të vazhdojnë drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht drejt kufurit më lindor të Unionit, Polonisë.
Kjo marshutë e re e cila është hapur me një qëllim të caktuar që migrantët nga Siria, Afganistani e shtetet e tjera përreth të bëjnë presion politik mbi Bashkimin Evropian, konkretisht në shtetin polak, ku dihet se ky shtet ishte kundërshtari më i madh i pranimit të refugjatëve. Sipas informacioneve të redaksisë The Geopost, ambasadat bjelloruse në shtetet aziatike u ofrojnë viza grupore deri në 25 persona, për të hyrë në Bjellorusi. Ata në mënyrë të organizuar përmes linjave ajrore arrijnë në Minsk dhe Moskë. Destinacioni i radhës është kufiri me Poloninë, deri ku asistohen nga autoritetet lokale.

Për këtë qëllim janë krijuar linja direkte fluturimi nga aeroporti i Damaskut, Stambollit, Bagdadit dhe Dubait për në Minsk.
Më shumë se 100 fluturime të tilla me plot migrantë janë realizuar në ditët e fundit.
Për të parandaluar këtë valë të orkestruar të refugjatëve, Polonia e ka vendosur edhe ushtrinë në kufirin e saj lindor me Bjellorusinë. Në mënyrë të ngjashme edhe Letonia e Lituania janë të shqetësuar me gjendjen e krijuar dhe kanë shpallë gjendje gatishmërie për kontrolle më të
shtuara përreth kufirit.
BE-ja, NATO dhe Polonia kanë akuzuar Bjellorusinë për manipulim, ndërsa presidenti bjellorus Lukashenko e ka mohuar një gjë të tillë, por duke e ditur afërsinë e tij me presidentin Putin, në pah duket një lojë e mirëmenduar nga ana ruse. Zëdhënësi i qeverisë polake, Pjoter Miler, ka deklaruar për gazetarët se në kufi janë afërsisht 4.000 migrantë të cilët tentojnë të hyjnë edhe me dhunë brenda territorit të tyre, kështu që nuk mund të
përjashtohet një eskalim i mundshëm i situatës.
Kryeministri i Polonisë, Mateush Marovjecki (Mateusz Moraëiecki), e akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për, siç tha, orkestrimin e një vale të paprecedentë migrantësh, që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni.
Viteve të fundit Ballkani Perëndimor është përdorur mjaft si rrugë e migrantëve drejt BE-së, por pas masave të shtuara në kufirin kroat dhe hungarez, ata gjejnë forma tjera për t’ia mësyrë Evropës. Për dallim nga përvojat e kaluara, episodi i ri përmes Bjellorusisë duket si një mundësi më e lehtë për migrantët, ngase ata asistohen nga autoritetet e atjeshme, e që fatkeqësinë e migrabtëve e shfrytëzojnë për të arritur qëllime politike në planin gjeostrategjik në raport me Bashkimin Evropian.