Alyaksandr Lukashenka ka thënë se manovrat e përbashkëta ushtarake do të mbahen me Rusinë në shkurt pranë kufijve me Ukrainën, si dhe me vendet lindore anëtare të NATO-s.
Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët ushtarakë bjellorusë më 17 janar, Lukashenka tha se datat e sakta të stërvitjeve nuk ishin përcaktuar ende. Ai nuk specifikoi se sa trupa do të përfshihen.
Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Bjellorusisë, Alyaksandr Volfavich, i tha më vonë agjencisë së lajmeve BelTA se forcat ushtarake ruse dhe pajisjet kishin filluar të mbërrinin në vend.
Njoftimi vjen pasi tensionet mes Perëndimit dhe Moskës janë rritur muajt e fundit mbi sigurinë e Ukrainës, një aleat perëndimor që kufizohet me Bjellorusinë dhe Rusinë.
Kievi është duke luftuar me separatistët e mbështetur nga Kremlini në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13,200 njerëz që nga prilli i vitit 2014.
Rusia ka vendosur dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën në atë që Kievi dhe aleatët e saj perëndimorë frikësohen se mund të jenë përgatitje për një pushtim të mundshëm, diçka që Moska e ka mohuar.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka vazhduar të mbështesë aleatin Lukashenka në ngecjen e tij me Perëndimin lidhur me zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në gusht 2020 që i dhanë liderit bjellorus një mandat të gjashtë radhazi në detyrë.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve shkaktuan një valë protestash, ku Lukashenka u përgjigj me një goditje brutale ndaj disidencës që ka bërë që mijëra të arrestohen dhe shumica e politikanëve të opozitës të largohen nga vendi duke u frikësuar për sigurinë e tyre.
Lukashenka tha më 17 janar se stërvitjet ushtarake të muajit të ardhshëm me Rusinë duhet të fokusohen në një skenar në të cilin ushtria e vendit të tij është e detyruar t’i “rezistojë forcave që vijnë nga Perëndimi”.
Pa dhënë prova, ai i justifikoi stërvitjet duke pretenduar se kishte një grumbullim trupash përgjatë kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën, Poloninë dhe shtetet baltike.
Polonia dhe tre shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania janë shtete anëtare të BE-së dhe NATO-s.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s zhvilluan negociata me Rusinë që synonin lehtësimin e tensioneve rreth Ukrainës, por bisedimet nuk arritën të bënin përparim të rëndësishëm.
Putini ka lëshuar një sërë kërkesash për garanci sigurie në Evropë, duke përfshirë NATO-n që të mos pranojë anëtarë të rinj si Ukraina dhe Gjeorgjia dhe kufizime në dislokimet aleate në anëtarët e NATO-s të Evropës Lindore.
Zyrtarët perëndimorë thonë se retorika luftarake e Rusisë dhe grumbullimi i trupave pranë Ukrainës është një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë që të përkulen në listën e dëshirave të Kremlinit.
Moska këmbëngul se vendosja e saj ushtarake është një përgjigje ndaj asaj që ajo e sheh si prani në rritje të NATO-s në sferën e saj të influencës dhe mohon se planifikon të pushtojë Ukrainën.