Duke u larguar nga institucionet e Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e teston bashkësinë ndërkombëtare aq sa është e mundshme të manipulojë, shprehet kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko.
Biserko shton se Vuçiq ka muaj që ka nxitur tensione dhe akuzon në mënyrë sistematike kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Vuçiq, siç e dini, ka muaj që ka nxitur tensione dhe ka akuzuar sistematikisht Kurtin. Nga ana tjetër, Kurti nuk dëshiron ndarje. Vuçiq ka këshilltarë në Prishtinë edhe në Tiranë”, shpjegon Biserko për mediet serbe.
Largimi nga institucionet, sipas saj është një presion shtesë mbi Prishtinën.
“Përveç kësaj, Vuçiq vazhdimisht propagandon ngjarje [të paqena] nëpër media dhe personalisht mendon se Gjermania dhe Britania e Madhe janë prapa gjithçkaje që bën Kurti”, thotë ajo.
“Fakti është se SHBA-ja dhe BE-ja mbështesin propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke u larguar nga institucionet, Vuçiq po teston se deri ku mund të manipulojë bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë, fakti është se vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tre marrëveshje në Berlin. Prandaj Kosova është vend i barabartë”, shton Biserko.
Në fund, ajo thotë se Vuçiq insiston që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe para nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën.
“Mendoj se serbët do të kthehen në institucione. Dhe komuniteti ndërkombëtar këmbëngul për këtë. Kur të bjerë ‘Bota Ruse’, do të bjerë edhe ‘Bota Serbe’, siç e ëndërron Beogradi”, përfundon ajo. /Telegrafi/