
Presidenti i SHBA Joe Biden tha të martën se kriza në Ukrainë është 0një çështje globale e cila e rriti rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe sovranitetit.
Komentet e Bidenit në Tokio kanë ardhur një ditë pasi ai ka ofruar mbështetje ushtarake për Tajvanin, ishull që vetëqeveriset, por të cilin Kina e sheh si të sajin.
“Kjo është më shumë se një çështje evropiane. Është një çështje globale,” tha Biden për situatën në Ukrainë në takimin e katërt të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Indisë dhe Australisë.
Biden ka theksuar se Uashingtoni është me aleatët e saj dhe ka bërë thirrje për një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit.
“Ligji ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut duhet të mbrohen gjithmonë, pavarësisht se ku janë shkelur në botë”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë udhëheqësve biznesorë botërorë në Forumin Davos, se bota duhet të shtojë sanksionet kundër Rusisë, për të penguar shtetet tjera nga përdorimi i “forcës brutale” për të arritur qëllimet e tyre.
Bashkimi Evropian pritet të pajtohet për një embargo në importet e naftës ruse “brenda ditësh”, ka thënë Gjermania, teksa Moska ka thënë se lidhjet ekonomike me Kinën do të rriten.
Një pjesë e 27 vendeve anëtare të bllokut evropian janë tejet të varura nga energjia ruse, duke nxitur kritika nga Kievi se blloku nuk ka vepruar mjaftueshëm shpejt për të ndalur furnizimet.
Hungaria është duke kërkuar investime në energji para se të pajtohet për embargo, duke u përplasur kështu me shtetet e BE-së që kërkojnë miratim të shpejtë të embargos.
BE-ja u ka ofruar 2 miliardë euro shteteve qendrore dhe atyre lindore që nuk kanë furnizimet tjera përveç atyre nga Rusia.
“Do të arrijmë marrëveshje brenda ditësh”, ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, për transmetuesin ZDF.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Kremlini do të fokusohet në krijim të lidhjeve me Kinën, pasi janë shkëputur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.