
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai rus Vlladimir Putin do të zhvillojnë një video-konferencë të martën, kanë konfirmuar Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini. Dy presidentët do të diskutojnë për situatën e tensionuar në Ukrainë.
“Biden do të nënvizojë shqetësimet e SHBA-së për aktivitetet ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën dhe do të riafirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Sipas saj, temat e tjera do të përfshijnë “stabilitetin strategjik, çështjet kibernetike dhe rajonale”.
“Naturisht, biseda do të zhvillohet të martën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për Reuters. “Marrëdhëniet dypalëshe, natyrisht Ukraina dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Gjenevë janë pikat kryesore të rendit të ditës”, tha ai.
Koha e saktë e telefonatës nuk u bë e ditur.
Më shumë se 94,000 trupa ruse besohet se janë grumbulluar pranë kufirit të Ukrainës. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksi Reznikov, tha të premten se Moska mund të planifikojë një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në fund të janarit, duke cituar raportet e inteligjencës.
Ndërkohë, Biden ka hedhur poshtë kërkesat ruse për garanci të sigurisë në rajon.
“Pritja ime është që do të kemi një diskutim të gjatë me Putinin”, u tha Biden gazetarëve të premten ndërsa u nis për një udhëtim fundjave në Kamp Dejvid. “Unë nuk i pranoj vijat e kuqe të askujt”, tha ai.
Presidenti amerikan tha se ai dhe këshilltarët e tij po përgatisnin një sërë iniciativash gjithëpërfshirëse që synojnë të pengojnë Putinin të kryej ndonjë pushtim të Ukrainës. Ai nuk dha detaje të tjera, por administrata ka diskutuar partneritetin me aleatët evropianë për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin tha veçmas se Uashingtoni ishte i përkushtuar për të siguruar që Ukraina të kishte atë që i nevojitej për të mbrojtur territorin e saj.
Austin shtoi se kishte shumë hapësirë për diplomacinë dhe udhëheqjen për të punuar në Ukrainë.
Moska akuzon Kievin se ajo po organozon forca ushtarake. Ajo i ka hedhur poshtë si sugjerime nxitëse se po përgatitet për një sulm ndaj fqinjit të saj jugor dhe ka mbrojtur të drejtën e saj për të vendosur trupa në territorin e saj siç e sheh të arsyeshme.
Zyrtarët amerikanë thonë se nuk e dinë ende se cilat janë qëllimet e Putinit, dhe nëse Putini ka marrë një vendim për të pushtuar Ukrainën.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar viteve të fundit, veçanërisht pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ndërhyrjen e saj në 2015 në Siri dhe akuzat e inteligjencës amerikane për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016, të fituara nga tashmë ish-presidenti Donald Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Stokholm në fillim të kësaj jave se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë do të imponojnë “kosto dhe pasoja të rënda ndaj Rusisë nëse ajo ndërmerr veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës”.