Miratimi nga Bundestagu gjerman i planit të ri për rekrutim shtesë ushtarak nuk është thjesht një reformë teknike në politikën e mbrojtjes së Berlinit. Ai vjen në një kohë kur perceptimi për kërcënimin rus në Evropë është rritur ndjeshëm, dhe është pjesë e një tendence të gjerë brenda kontinentit për t’u përgatitur për një realitet të ri të sigurisë.
Me 323 vota pro, kundrejt 272 kundër, Parlamenti i Federatës së Gjermanisë i ka hapur rrugë një modeli të ri rekrutimi që përfshin “ekzaminime të detyrueshme mjekësore për të rinjtë”, por pa rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në thelb, Gjermania po ndërton një mekanizëm fleksibël që nëse situata e sigurisë e kërkon, mund të aktivizohet shpejt për të rritur numrin e ushtarëve të gatshëm.
Të gjitha sinjalet politike tregojnë se arsyeja kryesore e reformës është rritja e ambicieve ekspansioniste të Rusisë. Lufta në Ukrainë, kërcënimet ndaj vendeve baltike dhe retorika e ashpër e Kremlinit kanë shtyrë Gjermaninë të ndërmarrë hapa që deri para disa vitesh konsideroheshin të pamendueshëm.
Në Berlin ka një bindje gjithnjë e më të fortë se Rusia mund të testojë kufijtë e NATO-s në vitet e ardhshme, prandaj rritja e kapaciteteve të Bundeswehr-it nuk shihet vetëm si detyrim kombëtar, por si përgjegjësi ndaj mbrojtjes kolektive evropiane.
Një Evropë që po riarmatoset
Gjermania nuk është e vetme në këtë drejtim. Franca ka një program të ri për përfshirjen e të rinjve në aktivitetet e mbrojtjes dhe rezervës, po ashtu Polonia e cila e sheh veten si vijë e parë kundër Rusisë, ka ndërmarrë investime masive në ushtri dhe po promovon gjerësisht rekrutimin. Mirëpo, edhe Belgjika ka prezantuar plane për të rritur numrin e ushtarakëve aktivë dhe për të krijuar mekanizma të rinj të shërbimit vullnetar.
Ky “ringjallje ushtarake” nuk është entuziazëm militarist, por reagim ndaj një realiteti të ri gjeopolitik: siguria evropiane nuk është më e garantuar.
Ndryshimet në Berlin kanë jehonë të drejtpërdrejtë edhe në Ballkan, rajon ku Rusia vazhdon të nxis propagandë dhe pasiguri politike e ekonomike nëpërmjet proxyt të saj, Serbisë. Moska e ka përdorur për vite hapësirën ballkanike për të dobësuar kohezionin perëndimor, duke mbështetur forcat euroskeptike, duke nxitur tensione ndëretnike dhe duke investuar në rrjete dezinformimi.
Një Evropë më e fortë ushtarakisht përkthehet në një shtysë për stabilitet më të madh edhe në Ballkan. Për vendet që synojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, ky zhvillim është një kujtesë e rëndësishme se integrimi euroatlantik mbetet garancia kryesore e sigurisë. Për të tjerat, është një sinjal se epoka e pasigurisë strategjike po përfundon dhe se Perëndimi nuk e ka ndërmend të tolerojë vakume sigurie që mund të shfrytëzohen nga Kremlini.
Me miratimin e planit të ri të rekrutimit, Gjermania po demonstron se nuk ka ndërmend të mbetet spektatore në përballjen me kërcënimin rus. Berlini po ringrit kapacitetet e veta jo vetëm për vete, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë në Evropë, një projekt që është jetik veçanërisht për stabilitetin e Ballkanit.
Në këtë kontekst, reforma gjermane nuk është thjesht lajm i politikës së brendshme. Ajo është pjesë e një narrative më të gjerë: Evropa po përgatitet seriozisht për sfidën që paraqet Rusia dhe Ballkani duhet të jetë pjesë aktive e kësaj përgatitjeje.

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999
Rusia sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, propagandat pro-Kremlin i kthejnë vuajtjet në armë psikologjike
Bisedimet në Abu Dhabi përfundojnë me plane për raundin tjetër – Zelensky e quan takimin ‘konstruktiv’
Trump thotë se gjithë të përfshirët në vjedhjen e zgjedhjeve në SHBA do të ndëshkohen – sytë sërish nga Vuçiqi