Në platformën Telegram, llogari në gjuhën serbe kanë publikuar një pretendim se “një shqiptar i maskuar mbrëmë rreth orës 18:00 hoqi dhe mori trengjyrëshin (flamurin serb) të Kishës Ortodokse Serbe nga porta e kishës në Lipjan”.
Ky pretendim u gjet i publikuar nga llogaria në gjuhën serbe në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER).
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i pabazuar në fakte, dhe se nuk dihet cilës etni i përket personi që dyshohet se kreu këtë vepër.

Pas hulumtimit të kryer online, përmbajtja e publikuar fillimisht nga llogaria “BUNKER” (e premte, ora 09:55) u publikua më pas në rrjetin propagandistik rus “Pravda” në gjuhën serbe, si dhe në llogarinë tjetër në serbisht në Telegram “Српска Спарта-Инфо” (Српска Спарта-Инфо).

Çka dihet për këtë ngjarje?
Hibrid.info ka hulumtuar në mediat në gjuhën serbe lidhur me këtë ngjarje, ku janë gjetur artikuj të publikuar në “N1info.rs” e “Rts.rs”.
Ndryshe nga pretendimet e publikuara nga llogaritë e lartcekura, mediat në serbisht nuk kanë raportuar se personi i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre është shqiptar.
Në artikujt e publikuar nga mediat në serbisht thuhet se rasti është raportuar në polici.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës (5 dhjetor), nuk gjendet i raportuar rasti në fjalë. (shih fotografinë më poshtë)

Analiza
Pretendimi se një shqiptar i maskuar hoqi flamurin serb nga Kisha Ortodokse në Lipjan është i pabazuar në fakte.
Përmbajtja me pretendimin se personi i dyshuar është shqiptar, u publikua nga llogaritë serbe në Telegram dhe rrjeti propagandistik rus “Pravda”.
Mediat në gjuhën serbe kanë raportuar për këtë ngjarje, por nuk kanë përmendur etninë e personit të dyshuar. Po ashtu, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, ky rast nuk gjendet i raportuar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.
/Hibrid.Info

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
Mali i Zi dëbon drejtuesin e rrjetit rus ‘Ribar’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i përcjell drejt Beogradit
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan
Goditje ndaj rrjetit hibrid rus “Rybar”: Në Mal të Zi arrestohen Mihail dhe Valeria Zvinçuk
Të dërguarit e BE-së miratojnë listat e reja të sanksioneve ndaj Rusisë