Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj dy operatorëve mediatik rusë, RT dhe Sputnik.
Kjo ka ndodhur për arsye të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, i cili ka gati një muaj që ka filluar.
Interpretimi i luftës në Ukrainë është një tematikë që trajtohet vazhdimisht, kjo pasiqë medie të caktuara mund të kenë qëllime që të dezinformojnë rreth situatës në Ukrainë.
Mediet e sponsorizuara nga Rusia, veçanërisht RT dhe Sputnik, që nga fillimi i luftës në Ukrainë e kanë paraqitur këtë krim të Putinit si “operacion special”, ashtu siç edhe ai vetë pretendon se është.
Në platfotmën EU vs Disinfo, janë publikuar arsyet e vënies së këtyre sanksioneve për mediet ruse.
Bashkimi Evropian i quan RT-në dhe Sputnikun “armë të mashtrimit të Kremilinit”.
“Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione kundër armëve të mashtrimit të Kremlinit: Sputnik dhe RT. Aktivitetet e tyre të transmetimit u pezulluan urgjentisht në BE, derisa t’i jepet fund agresionit të Kremlinit kundër Ukrainës dhe derisa Rusia të pushojë së kryeri aktivitete të dezinformimit dhe manipulimit të informacionit kundër BE-së dhe shteteve të saj anëtare.”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, BE thotë se edhe pse RT dhe Sputnik mund të duken si medie internacionale, ato nuk janë fare ashtu. Kjo për shkak se funksioni i tyre nuk është ai i një medimi, që ruan objektivitetin dhe raporton paanësisht. Përkundrazi, këto media i shërbejnë drejtpërdrejtë propagandës së Kremlinit.
“RT dhe Sputnik mund të duken dhe të tingëllojnë si media ndërkombëtare, por nuk janë. Ato funksionojnë me një qëllim kryesor: të lehtësojnë dhe mbështesin politikat e Kremlinit jashtë vendit me mjete dezinformimi dhe manipulim informacioni. RT dhe Sputnik dhe degët e tyre të mediave sociale synojnë të përkeqësojnë fragmentimin dhe polarizimin dhe të minojnë demokracitë, të errësojnë faktet e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar nga Kremlini dhe të prodhojnë mbështetje për luftën e Putinit.”
Kujtojmë se agresioni rus në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt të këtij viti. Përpjekjet e Rusisë për ta shtremëruar këtë pushtim kanë qenë të vazhdueshme. Sanksionet ndaj saj vazhdojnë. /TheGeopost/