
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, thotë se nuk ka pasur “asnjë sinjal pozitiv nga Rusia” në negociatat në vazhdim të armëpushimit në Ukrainë dhe se Moska “thjesht po luan lojëra”.
Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë negociuar prej një muaji për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.
Edhe pse është rënë dakord për një armëpushim të pjesshëm që prek infrastrukturën energjetike dhe transportin në Detin e Zi, sulmet ruse me raketa dhe dron mbi qytetet e Ukrainës vazhdojnë çdo ditë.
E pyetur nëse ajo besonte se një armëpushim i plotë mund të arrihet deri më 20 prill – një datë e synuar e paraqitur nga presidenti finlandez Alexander Stubb gjatë vizitës së tij të fundit në Presidentin e SHBA Donald Trump në Florida – ish-kryeministrja e Estonisë theksoi nevojën për të ushtruar presion mbi Moskën.
“Mendoj se mund t’u jepet atyre një afat i qartë deri në të cilin ata duhet të përgjigjen se cili është pozicioni i tyre dhe me të vërtetë të tregojnë një vullnet të mirë se edhe ata duan paqen,” tha ajo. “Është e qartë se ukrainasit e duan këtë.”
Ende nuk ka bisedime me Rusinë
Këtë javë, Kirill Dmitriev, këshilltar i lartë i Kremlinit dhe kreu i një fondi të madh investimi të mbështetur nga shteti, do të udhëtojë në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë rreth Ukrainës dhe marrëdhënieve dypalëshe, tha Kremlini.
Vizita e Dmitriev vjen ndërsa Uashingtoni dhe Moska kërkojnë të përmirësojnë lidhjet e tyre pas viteve të tensioneve që i paraprinë pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
I pyetur nëse BE duhet gjithashtu të negociojë drejtpërdrejt me Dmitriev, Kallas tha se çdo bisedë duhet të përqëndrohet në Kiev.
“Për Ukrainën, Ukraina duhet të negociojë me Rusinë”, tha ajo. “Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë, sepse ka të bëjë me Ukrainën dhe nuk funksionon pa Ukrainën”.
Bashkimi Evropian dhe 27 shtetet e tij anëtare janë përjashtuar deri më tani nga bisedimet. I pyetur nëse Bashkimi apo një nga vendet anëtare të tij ishte gati për bisedime të drejtpërdrejta me Kremlinin, Kallas theksoi se Evropa duhet të përfshihet në një zgjidhje afatgjatë.
“Nëse ka negociata për Ukrainën, atëherë sigurisht që Evropa duhet të jetë në tryezë, sepse ajo që del prej saj ka të bëjë edhe me ne”, tha ajo. “Dhe çdo marrëveshje nuk mund të funksionojë pa zbatimin e evropianëve.”