Ish-kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov është arrestuar është arrestuar si pjesë e një operacioni policor të lidhur me hetimet e Zyrës së Prokurorit të BE-së.
Ministria e Brendshme e Bullgarisë tha se ai ishte mbajtur në paraburgim për 24 orë.
Zyrtarët thanë se hetimi po drejtohej nga EPPO dhe ishte i lidhur me keqpërdorimin e supozuar të fondeve të BE-së.
“Një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në lidhje me 120 raste të Zyrës së Prokurorit Evropian në Bullgari”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Borisov, kreu i partisë politike GERB dhe kryeministri i Bullgarisë deri në vitin 2021, u arrestua vonë të enjten në Sofje.
Bashkë me të u arrestuan këshilltarja e tij për media Sevdalina Arnaudova, ish-ministri i financave Vladislav Goranov dhe Menda Stojanova, ish-kryetarja e komisionit të buxhetit të parlamentit.
Borisov u mor nga shtëpia e tij në lagjen Bankya dhe tani është në paraburgim policor, tha avokati i ish-kryeministrit, Menko Menkov.
Menkov tha se Borisov nuk e dinte arsyen se përse u arrestua.
“Çfarë policë janë. Ata nuk kanë asnjë shpjegim, vijnë dhe fillojnë një kërkim urgjent. Çfarë janë këto kërkime urgjente?” theksoi avokati.
Menkov tha se Borisov nuk është akuzuar ende dhe do të mbahet në paraburgim për 24 orë.