
Rusia ka reaguar ashpër kundër shitjes së armatimit të sofistikuar për ushtrinë e Kosovës nga ana e SHBA-ve, raporton The Geopost.
Mediat pro-Kremlinit transmetojnë deklaratën e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Marija Zakharova, se “Moska dënon çdo përpjekje për të armatosur formacionet ilegale paraushtarake të Kosovës”.
Mediat ruse citojnë një zyrtar të Moskës të ketë thënë se “papërgjegjësia e demonstruar nga Uashingtoni dhe aleatët e tij, mosrespektimi i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së minojnë procesin e negociatave për çështjen e Kosovës dhe rrisin rreziqet e destabilizimit si në vetë nënrajon dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit”.
Kjo është deklaratë gati e njëjtë me atë që presidenti setb, Aleksandër Vuçiq, e dha para dy ditësh, kur kundërshtoi poashtu shitjen e armëve të sofistikuara për ushtrinë e Kosovës.
“Të ashtuquajturat forca të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk mund të ekzistojnë sipas normave të së drejtës publike ndërkombëtare dhe sipas Rezolutës 1244 kanë gjithsej 223 automjete të blinduara, së bashku me të ashtuquajturën polici të Kosovës. Ata duan të rriten në 350 autoblinda, duan që në vitin 2027 të kenë 5500, siç thonë ata, ushtarë profesionistë dhe 20 mijë të tjerë në rezervën e parë. Këto janë planet e tyre. Nuk ka surpriza për ne. Amerika po i udhëheq ato”, tha Vuçiq.
Vuçiq pretendoi se Prishtina ka buxhetin me rritjen më të shpejtë për ushtrinë dhe policinë në rajon. Si përgjigje ndaj kësaj, ai paralajmëroi investime të reja për të ndërtuar kapacitetin ushtarak të Serbisë, duke përfshirë pajisjen e sistemit të saj të mbrojtjes ajrore.
Statistikat zyrtare tregojnë se Serbia është vendi që ka ndarë më shumë buxhet në rajon për blerjen e armëve të reja, kryesisht nga Rusia dhe Kina. Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) tregojnë një rritje të fortë të shpenzimeve ushtarake serbe nga 710 milionë dollarë në 2016 deri në 1.4 miliardë dollarë në 2022.
Ndërkohë, më 11 janar, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Mbrojtjen dhe Sigurinë njoftoi se kishte pranuar kërkesën e Kosovës për dorëzimin e 246 raketave Javelin FGM-148F, si dhe pajisje gjurmuese, për një kosto të vlerësuar prej 69 milionë euro (75 milionë dollarë).
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, tha Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA.
Pas një vendimi të parlamentit, Forcat e Sigurisë së Kosovës po transformohen në ushtri formale dhe profesionale. Prishtina synon që transformimi të përfundojë deri në vitin 2028, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të vazhdojë blerja e armëve të reja./The Geopost/