
Ambasadorja kineze në Beograd, Chen Bo, deklaroi të premten, më 19 nëntor, se ambasada kërkon nga të gjitha kompanitë kineze që t’u përmbahen ligjeve dhe rregulloreve të Serbisë dhe t’i trajtojnë punëtorët në përputhje me marrëveshjen.
Chen Bo, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me rastin e punëtorëve vietnamezë të angazhuar në ndërtimin e fabrikës kineze Linglong pranë Zrenjanin, tha se të gjithë kishin parë raporte në media për kushtet e punës, por shtoi se ajo shpresonte që të gjithë të lexonin atë që theksonte në këtë drejtim edhe kompania kineze.
“Mund ta keni vënë re se departamentet kompetente të Serbisë nuk mendojnë se kompania kineze ka tezat e deklaruara të mediave të caktuara”, tha Chen Bo në Kragujevc, në Serbinë qendrore, ku mori pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, në të cilin marrin pjesë investitorët kinezë.
Ajo shtoi se “mbikqyrja mediatike është gjithmonë e mirëpritur, por se” informacioni i rremë nuk është kurrë i pranueshëm” dhe se raportet e kompanisë kineze duhet të lexohen.
Ambasadorja kineze tha gjithashtu se “ndërmarrjet kineze gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë përpjekje për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të Serbisë” dhe shprehu besimin se “të gjithë qytetarët serbë mund të shohin, ndjejnë rezultatet konkrete të atij bashkëpunimi”.
Pasi mediat xhiruan kushtet e vështira në të cilat jetojnë punëtorët nga Vietnami, të angazhuar në ndërtimin e një fabrike gomash të kompanisë kineze Linglong afër Zrenjanin, 80 kilometra në veri të Beogradit, punëtorët konfirmuan për RFE se po lëvizin nga një kamp pa kushte në lokacione të reja.
Krahas kushteve të këqija në të cilat punojnë, punëtorët vietnamezë kanë thënë për media se pasaportat e tyre janë konfiskuar me ardhjen e tyre në Serbi dhe se për këtë nuk mund të kthehen në vendlindje.
Kompania kineze Linglong konfirmoi për Radion Evropa e Lirë më 18 nëntor se punëtorët vietnamezë të përfshirë në projektin e ndërtimit të fabrikës në Zrenjanin u punësuan nga një prej kontraktorëve të tyre, TEPC (China Energy Engineering Group Tianjin Electric Power Construction).