Në prag të Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian në Mal të Zi vendosi një tapet të madh me lule në sheshin përballë Pallatit të Mbretit Nikolla në Cetinje. Tapeti, i thurur nga 33.500 fidane lulesh, në një sipërfaqe prej 230 metrash katrorë, u hap me ceremoni nga ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa dhe kryetari i Kryeqytetit të Cetinjes, Nikola Gjurashkoviq.
Ambasadorja Popa shpjegoi se dizajni i tapetit është frymëzuar nga motivet e luleve në parketin e vetë kalasë, që ndërthur traditat malazeze dhe ato të Bashkimit Evropian, sepse çdo vit një tapet i ngjashëm me lule zbukuron sheshin kryesor të qytetit në Bruksel.
“Kombinimi i traditave malazeze dhe të Brukselit është një bashkim simbolik, i cili përfaqëson miqësinë, partneritetin dhe një të ardhme të përbashkët të ndritshme. Gjithashtu, të tridhjetë e tre mijë e pesëqind fidanët u rritën dhe u siguruan në vend, sepse donim të mbështesim luleshitës vendas”, tha Popa.
Popa ftoi qytetarët e Cetinjes dhe qyteteve të tjera që në ditët në vijim ta vizitojnë këtë krijim lulesh dhe t’i bashkohen kremtimit të Ditës së Evropës. Në fjalën e saj, ambasadorja Popa dërgoi edhe një mesazh solidariteti dhe mbështetje për Ukrainën.
“Zemra jonë është me Ukrainën, e cila po mbrohet nga agresioni. Zemrat tona janë gjithashtu të endura në këtë qilim me lule. Bashkimi Evropian dhe Mali i Zi, si partner i tij, do të vazhdojnë të mbështesin popullin ukrainas në çdo mënyrë të mundshme”, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi.
Kryetari i Komunës së Cetinjës, Nikolla Gjurashkoviq, theksoi se Cetinja ka nderin të festojë Ditën e Evropës, sepse ka të kaluarën e lavdishme të kryeqytetit mbretëror me 12 përfaqësi diplomatike, gjë që kujton se Mali i Zi ishte vendi i 27-të i njohur ndërkombëtarisht në botë.
“Sot, bashkëqytetarët tanë po i mbajnë mësim gjithë Evropës si të protestojë kundër agresionit të regjimit rus kundër qytetarëve dhe shtetit të pafajshëm ukrainas dhe unë dua t’i falënderoj publikisht në emër të qytetit. Kjo është arsyeja pse ne ia kushtojmë këtë ditë paqes, lirisë dhe unitetit evropian, me dëshirën që Ditën e ardhshme të Evropës ta presim në paqe në Cetinje, Bruksel dhe Kiev”, tha Gjurashkoviq./The Geopost