Ambasadori i Ukrainës në Serbi Volodomir Tolkach tha se për të denazifikimi do të thotë gjenocid.
Ai këtë e tha duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Partisë Progresive Serbe, Vladimir Gjukanoviq i cili tha se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit.
“Për mua, po (do të thotë gjenocid), sepse pashë se çfarë do të thotë denazifikimi i Putinit në Ukrainë. Është gjenocid i pastër. Kështu që nuk kam asnjë shembull tjetër se çfarë do të thotë denazifikimi,” tha Tolkac për Radion Evropa e Lirë (RSE).
Deputeti i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Vladimir Gjukanoviq, shkroi në Twitter më 31 korrik, “Më duket se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të gaboja”.
Gjukanoviq përdori terminologjinë që Rusia zyrtare e promovoi publikisht si arsye për agresion ushtarak kundër Ukrainës. Mijëra të vdekur, disa milionë refugjatë ukrainas, si dhe shkatërrimi i infrastrukturës, u justifikuan nga Rusia zyrtare duke zbatuar “denazifikimin dhe çmilitarizimin” e Ukrainës.
“Për mua, denazifikimi është një lloj gjenocidi ndaj popullit ukrainas dhe nëse dikush dëshiron ta organizojë këtë gjenocid këtu në vendet e Ballkanit, nuk kam asnjë koment”, tha Tolkach për Radion Evropa e Lirë.
Gjukanoviq kërkoi falje për postimin në Twitter në të njëjtën ditë si i ftuar në televizionin privat Pink.
Siç vlerësoi deputeti i Parlamentit Evropian Tonino Picula, deklarata e Vladimir Gjukanoviq është pjesë e politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të shkaktuar destabilitet në rajon.
Picula thekson se Gjukanoviq është i parëndësishëm në kontekstin më të gjerë të kësaj historie, “por është simptomatike e mbështetjes së Vuçiqit në politikën e jashtme ruse dhe marrëdhëniet vasale të tij dhe SNS ndaj Putinit”.
Serbia është i vetmi vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), përveç Turqisë, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë që filloi më 24 shkurt.