Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dalë në mbrojtje kreut të grupit kriminal, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili një ditë më parë përmes një video-mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës.
I pyetur të komentojë këtë paraqitje, Vuçiq tha se nuk ka të bëjë me shtetin e Serbisë.
“Ku do të duhej të jetë Radoiçiq, i cili është nga Kosova? Apo do të dëshironit që ne të urdhërojmë njerëzit të tërhiqen nga veriu i Kosovës në pjesën qendrore të Serbisë? Ku është Radoiçiq, në Kosovë apo jo, është çështje e tij private. Nuk ka të bëjë me shtetin, as nuk kishte. A doni ta dëboni? A është kjo qëllimi dhe ideja juaj?”, ka komentuar Vuçiq, raportojnë mediet serbe.
Mirëpo, ndryshe nga deklarimet e presidentit serb, i kërkuari nga autoritet e sigurisë së Kosovës në muajin mars të këtij viti kishte marr pjesë në takimin kërcënues ndaj Kosovës të Këshillit serb të Sigurisë.
Vuçiq gjatë këtij takimi, pas refuzimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, kishte kërcënuar duke thënë se, “do të pasojë përgjigje serioze nga njerëz seriozë, dhe do të ketë pasoja të mëdha”.
Kujtojmë se Thesari amerikan në fund të vitit të kaluar kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq dhe vet Radoiçiq.
Përveç tij janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.
Shtetet e Bashkuara thonë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve./The Geopost