Për vizitën e Lavrovit në Serbi është dëgjuar edhe para shpalljes së vizitës zyrtare. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas njoftimit zyrtar për vizitën e ministrit të Jashtëm rus dhe pas bisedimeve me homologun aleat Vladimir Putin, tha se Lavrov do të sjellë dokumentacionin e nevojshëm në Beograd më 6 qershor për të nënshkruar marrëveshjen e rënë dakord për gazin rus.
Por, kjo vizitë nuk u realizua sepse Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mbyllën hapësirën e tyre ajrore për fluturimin e avionit që duhej të çonte Lavrovin në Beograd.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vlerësoi se ndalimi i fluturimit të avionit të ministrit të Jashtëm rus nuk është shumë surprizë, por problemi, siç tha ai, është në vendet e vogla, të cilat shohin se nuk mund t’i bëjnë asgjë Rusisë. “kështu që ata duan t’ë hakmerren në Serbi”.
Ai shprehu “pakënaqësinë” për “rrethanat” që e penguan vizitën dhe shtoi se Serbia “gjithsesi do të ruajë pavarësinë dhe autonominë e saj në vendimmarrjen politike”.
Për shkak të vizitës së tij të dështuar në Serbi, Lavrov e gjeti fajtorin në vendet anëtare të NATO-s. Ai tha se Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë të NATO-s, duke theksuar se veprimi edhe një herë tregoi se qëllimi kryesor i zgjerimit të aleancës është një përpjekje për të izoluar Rusinë.
Ai tha gjithashtu se Perëndimi ka shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të partnerëve të politikës së jashtme.
“Nga këndvështrimi perëndimor, Serbia nuk duhet të ketë asnjë zgjedhje, asnjë liri në zgjedhjen e partnerit”, tha ai.
Ministri prorus i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, shprehi “keqardhje të thellë” në Beograd që miku “i madh dhe i dëshmuar” i Serbisë nuk mund të vinte. Vulin shtoi se Serbia është krenare që nuk është pjesë e histerisë anti-ruse.
Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili zgjat më shumë se 100 ditë, Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të hapësirës ajrore të Bashkimit.
Një nga vendet e pakta evropiane ku aeroplanët rusë mund të ulen është Serbia, e cila nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Vlerësohet se vizita e Lavrov në Serbi është pjesë e propagandës ruse, me qëllim që ai vend të dëshmojë se ende ekziston një shtet (Serbia) në Evropë ku mund të qëndrojnë diplomatët rusë.
Ish-ambasadori serb në Bjellorusi, Srecko Gjukic, tha se Beogradi dhe Serbia e dinë mirë se çfarë nënkuptojnë sanksionet dhe si duhen respektuar ato, dhe se sa e pamundur është t’i thyesh, shkatërrosh dhe injorosh ato.
“Është një realitet në të cilin Rusia jeton dhe ajo duhet të mësohet të jetojë në atë realitet nga njëra anë, e nga ana tjetër, edhe Serbia duhet të kuptojë se nuk mund të jetë kundër gjithë botës dhe nuk mund të jetë kundër Bashkimit Evropian”, ka thënë Gjukiq.
Ai shtoi se është e qartë se Rusia kujdeset shumë për Serbinë dhe Republikën Srpska dhe se, sipas tij, këto janë të vetmet territore ku ajo ende ka ndikim në Evropë dhe me të cilat ende mund të manipulojë.
Pas anulimit të vizitës së Lavrovit në Serbi, diplomati rus Sergei Ordzhonikidze kërcënoi se Rusia mund të dëbojë ambasadorët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bullgarisë për shkak të situatës me ministrin e Jashtëm rus.
“Mendoj se reagimi duhet të jetë më i fortë, sepse kanë penguar një zyrtar të lartë të shtetit tonë të kryejë detyrën e tij diplomatike. Ky është një hap politik i orientimit anti-rus”, tha ai.
Edhe pse zyrtarisht ende kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ruan lidhje miqësore me Rusinë pavarësisht pushtimit të Ukrainës, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Gjithashtu, shumë në Serbi e shohin Rusinë si një aleat të ngushtë dhe një mik të madh. / The Geopost