Profesori dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, në një intervistë për The Geopost, flet për mitin e Vidovdanit si një ndërtim ideologjik dhe politik të shtetit dhe Kishës serbe, që prej shekullit XIX ka shërbyer si mjet legjitimues për pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Ukshini thekson se beteja e Kosovës më 1389 është mitologjizuar për qëllime nacionaliste dhe shoviniste.
Ai e sheh këtë mit si një përzierje të rrezikshme të narrativës së Kishës Serbe me projektin shtetëror serb, që ka ndikuar jo vetëm në diskursin e brendshëm serb, por edhe në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën. Sipas Ukshinit, ky mit është përdorur për të ndërtuar legjitimitet të rremë historik, duke përjashtuar të tjerët nga kjo hapësirë dhe duke nxitur tensione e konflikte në Ballkan.
Intervista e plotë:
The Geopost: Vidovdani si miti më i vjetër serb rreth Kosovës në aspektin historik. Si e shihni dhe si e komentoni?
Ukshini: Po, në fakt, beteja e Kosovës ka qenë ndër betejat më të parëndësishme. Në kuptimin historik edhe faktografik, është pak e dëshmuar. Madje ka pasur historianë edhe që kanë thënë që s’ekziston. Por, me krijimin e shtetit serb në shekullin e 19-të dhe në përpjekje për me i legjitimuar synimet për ekspansion territorial, Akademia Serbe dhe sidomos Kisha Serbe e kanë përhapur mitin serb gjoja që Kosova është djep i serbizmit. Në anën tjetër duhet të pohuar që, beteja e Kosovës në fakt ishte një koalicion ku ishin edhe hungarezët, edhe kroatët, edhe boshnjakët dhe shqiptarët. Ishte një koalicion i të krishterëve për shkak se edhe shqiptarët ishin të krishterë.
Por duke e shndërruar serbët në pretendim territorial, si mit hegjemonist, ata pretendojnë domethënë që vetëm ata ishin dhe vetëm ata duhet të jenë këtu. Në anën tjetër, ne të gjithë e dimë që kombet janë formuar në shekullin e 19-të. Dhe për në shekullin e 13-të, 14-të, nuk mund të flasim për shqiptarët dhe për serbët në kuptimin sikurse janë tash kombe të etabluara. Domethënë është një mit, është një përrallë, por që është shndërruar në ideologji ekspansioniste dhe për qëllime politike, ku është kombinuar synimi politik hegjemonist i shtetit me rrëfimin kishtar dhe ky rrëfim në fakt ka sjellë probleme dhe ka sjellë konflikte në Ballkan dhe më e njohura është rasti i vitit 1989 kur është festuar kjo festë dhe serbët që atëherë, Vidovdanin e festojnë jo si një festë kulturore, jo si një festë historike, por si një festë shoveniste, si një festë ku i përjashtojnë të tjerët. Dhe kjo është e keqja dhe kjo është pjesa armiqësore e saj.
The Geopost: Në aspektin diplomatik, si e ka shfrytëzuar Serbia Vidovdanin, si e ngrit nacionalizmin serb po ashtu brenda dhe jashtë Kosovës?
Ukshini: Është shumë interesant se këta kanë botuar shumë libra për këtë ngjarje. Dhe gjithherë i janë referuar në mënyrë të vazhdueshme, në shkresat e kishës, në kishë, në shkresat e shtetit serb. Dhe pothuaj edhe në literaturën perëndimore ka depërtuar që një lloj mirëkuptimi për pretendimin historik. Po nëse shkojmë nga e drejta historike, atëherë para serbëve kanë qenë shqiptarët në antikitet. Domethënë, por shtetet nuk mund të ndërtohen mbi projeksionet e vjetra, sepse po të nisemi me këtë synim, atëherë këtu do të ishte Roma, nëse jo Roma, Bizanti, nëse jo Bizanti, atëherë Perandoria Osmane. Domethënë nuk mund të ndërtohen mbi këto premisa. Por serbët kanë investuar shumë jashtëzakonisht në propagandë dhe natyrisht e kanë shfrytëzuar konjukturën e përshtatshme ndërkombëtare që ka ekzistuar në fillim të shekullit të 20-të, duke u profiluar si anti-gjerman, kundër interesave anti-gjermane, anti-austriake, kanë shfrytëzuar mbështetjen franceze dhe angleze dhe këtë mit e kanë përhapur përmes shumë studiuesve të diplomacisë franceze dhe angleze. Dhe kjo ka qenë evidente sidomos në Luftën e Parë Botërore dhe pastaj ka gjetur vend edhe në literaturë dhe në qarqet akademike.
/The Geopost

Bursaç për Geopost: Vuçiq nuk do t’i kthejë kurrë shpinën Putinit – Ballkani rrezikon të mbetet peng i botës ruso-serbe
“Ballkani, peng i narrativave të vjetra historike”, historiani gjerman: Kosova shembull i transformimit të shpejtë
Danchenkova: Ukraina po lufton dy fronte – sulmet ruse dhe luftën e dezinformimit
Gazetarja polake: Rusia shfrytëzon ndasitë e brendshme për të përhapur dezinformimin
Kalenský apelon për kujdes: Inteligjenca Artificiale po bëhet mjeti kryesor i fushatave ruse të dezinformimit
Eksperti spanjoll: Rusia po shfrytëzon dezinformimin për të ndikuar në demokracitë perëndimore