Qeveria e Malit të Zi më në fund, pas dy përpjekjeve të dështuara, të premten miratoi një paketë masash kufizuese kundër Rusisë, për shkak të agresionit luftarak të saj kundër Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt. Për këtë arsye vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Azisë i vendosën sanksione Moskës.
Pothuajse të gjithë ministrat në Qeverinë e Malit të Zi votuan për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ky vendim u pranua ndryshe nga opinioni. Politikanët pro-serbë, natyrisht, e dënuan një vendim të tillë, disa e mbështetën, duke shpjeguar se është obligim i Malit të Zi në rrugën e tij evropiane dhe euroatlantike. Vendimin e Qeverisë së Malit të Zi e përshëndetën raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Vladimir Bilčik, raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi Tonino Picula dhe ambasadorja britanike në Mal të Zi Karen Maddox.
Seanca e Qeverisë, në të cilën u miratua pakoja e sanksioneve kundër Rusisë, u drejtua nga zëvendëskryeministri dhe mandatar për përbërjen e Qeverisë së re, Dritan Abazoviq, i cili menjëherë këtë informacion e publikoi në llogarinë e tij në Tëitter.
Përveç zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, pro votuan shtatë ministra, ndërsa një ministër abstenoi, ndërsa kryeministri Zdravko Krivokapiç, i cili ishte në Forumin Ekonomik Delphi në Greqi dhe katër ministra nuk morën pjesë në seancë.
Ministri i Bujqësisë Aleksandar Stijoviq, i cili abstenoi, tha se nuk e di efektin e sanksioneve në ekonominë malazeze dhe se nuk e sheh se si do t’i ndihmonte qytetarët dhe ekonominë, duke theksuar se vitin e kaluar Mali i Zi ka fituar rreth 130 milionë euro nga tregu rus.
Kujtojmë se Qeveria e Zdravko Krivokapiqit ka refuzuar dy herë të marrë vendim për sanksione kundër Rusisë. Më 1 mars, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njoftoi se Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe Komisioni për Sistemin Politik të Qeverisë së Malit të Zi, i kryesuar nga Abazoviq, miratoi një paketë sanksionesh kundër Rusisë më 15 mars. Megjithatë, vendimi i Qeverisë ishte i nevojshëm për zbatimin e këtyre vendimeve.
Sanksionet kundër Rusisë për agresion ndaj Ukrainës, individuale dhe ekonomike, përfshijnë ngrirjen e pronave, mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë, ndalimin e mediave të qeverisë ruse, si dhe ngrirjen e pronës së disa personave juridikë dhe individë.
Reagime të ndryshme ndaj sanksioneve
Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb tha se ata kundërshtojnë sanksionet kundër Rusisë dhe se ato do të ndikojnë negativisht në sezonin turistik. “Ne respektojmë integritetin territorial të Ukrainës, jemi kundër sanksioneve kundër Rusisë dhe si shtet i vogël duhet të qëndrojmë sa më larg konflikteve gjeopolitike”, tha zyrtari i DF, Milan Knezeviq.
Sanksionet janë të papranueshme edhe për kryetarin e Budvës, Marko Careviq, zyrtar i Demokracisë së Re Serbe, pjesë e koalicionit të Frontit Demokratik. Në një prononcim për televizionin e Banja Lukës, ai po ashtu ka thënë se “Boka është shtet serb, ashtu si Kosova. Të gjithë ne si popull serb dhe unë ishim kundër referendumit (për rinovimin e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006). Ne jemi, veçanërisht Boka Kotorska, një vend serb si Kosova. Është kryesisht popull serb. Ne u bashkuam me Serbinë në vitin 1918 dhe kushdo që nuk vjen në bregdetin malazez punon kundër interesave të popullit serb”, përfundoi Careviq.
Mirëpo, lideri i demokratëve dhe deri vonë kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, gjoja me orientim qytetar, por i përkushtuar ndaj Kishës Ortodokse Serbe, theksoi se qeveria malazeze harmonizohet me sanksionet dhe vendimet e tjera të partnerëve ndërkombëtarë për çështjen agresionit rus kundër Ukrainës. Sigurisht që mund të luhet me emocionet e qytetarëve dhe të përfitohet politikisht, por drejtimi i shtetit dhe kryerja e funksioneve më të rëndësishme shtetërore kërkon vendimmarrje pa kalkulime dhe vendime të vështira”, theksoi Beçiq.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilchik, përshëndeti vendimin e Malit të Zi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe shprehi shpresën se të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE do të ndjekin shembullin e tij.
Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, përshëndeti gjithashtu vendimin e qeverisë malazeze për të miratuar një paketë sanksionesh kundër Rusisë. “Me përafrimin e mëparshëm të politikës së jashtme me politikat e përbashkëta të BE-së, Mali i Zi riafirmon orientimin dhe statusin e tij të paracaktuar euro-atlantik si një udhëheqës në procesin e zgjerimit,” tha Picula në Tëitter.
Ambasadorja britanike Karen Maddox tha se me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Mali i Zi ka treguar se vlerat euroatlantike janë prioritet. Maddox tha se ishte e rëndësishme që këto masa, të cilat janë një përgjigje ndaj agresionit rus, të zbatoheshin tani me rigorozitet.
Qeveria e pakicës deri më 15 prill?
Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, e cila u zgjodh në dhjetor 2020 me votat e Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb, Demokratëve dhe lëvizjes civile URA, iu votua mosbesimi në fillim të shkurtit.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, më 3 mars propozoi udhëheqësin e URA-s dhe zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq si mandatar të qeverisë së re të pakicës, për të cilën negociatat janë ende në vazhdim. Sipas njoftimeve të fundit, deri më 15 prill do të formohet Qeveria e re të Malit të Zi./The Geopost