Rehatimi i autokratëve sot, vetëm sa i trimëron ata për nesër. Koncesionet për tiranët kurrë nuk janë të përkohshme dhe kurrë nuk sjellin paqe të qëndrueshme.
Kontinenti i Evropës është në krizë sepse Vladimir Putini ka thërmuar sovranitetin e Ukrainës deri në atë shkallë sa sot i mohon integritetin territorial dhe të drejtën e saj për të ekzistuar. Presidenti i Rusisë ndjek një politikë të rrezikshme imperialiste që lejon një shtet të zgjedhë fatin e një tjetri vetëm për shkak se ushtarakisht mundet.
Kjo luftë është mënyra e z. Putin për të testuar botën demokratike dhe është një përpjekje për të thyer shpirtin tonë demokratik. Por, kjo ka bërë bashkë botën demokratike në një formë që nuk është parë me dekada. Mënyra se si të gjithë ne reagojmë – shtete të vogla e të mëdha – nuk do të definojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe të ardhmen e Evropës dhe botës. Çdo reagim nuk është vetëm për popullin e Ukrainës, por është edhe për zgjedhjen se në çfarë bote duam të jetojmë, dhe për mesazhin kolektiv që i dërgojmë autokratëve kudo.
Duke parë mesazhet tmerruese të sulmeve çnjerëzore në civilët e pafajshëm ukrainas, dhe qëndrueshmërinë e guximshme të atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe mbrojtjen e shtetësisë, ka qenë një përkujtim i vështirë i një të kaluare të errët për popullin e Kosovës.
Për ne, ato imazhe janë tepër të afërta dhe reale. Jo vetëm që jemi në anën e Ukrainës, por jemi në anën e aleatëve tanë të NATO-s dhe të atyre që duan të shohin vlerat demokratike duke lulëzuar në mbarë botën, sepse kjo përfaqëson shumë më shumë se thjesht një shtet apo luftën e një populli ndaj tiranisë.
Kosova i di shumë mirë pasojat e koncesioneve të bëra në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Rehatimi i hershëm i Sllobodan Millosheviqit rezultoi në luftëra të përgjakshme në ish Jugosllavi që u përcollën nga një regjim gjenocidal, dhe të gjitha u bënë në emrin e dëshirave fashiste për krijimin e një “Serbie të Madhe”. Dhuna çoi në qindra e mijëra vdekje, dhunimin e dhjetëra mijëra grave dhe zhvendosjen nga shtëpitë e tyre të miliona njerëzve.
Krejt kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO dhe bota na shpëtuan më 1999 duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Por sot ne po shohim, edhe një herë, një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, agresionin barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të pafaj, dhe potencialin për një luftë shumë të madhe në Evropë dhe gjetiu.
Ndërsa sytë e botës me të drejtë janë në Ukrainë, këtu në zemër të Evropës, kemi një kërcënim domethënës që na rri mbi krye. Z. Putin ka ngulitur kthetrat e tij thellë në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron te aleati i tij, Serbia, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Marrëdhënia e Rusisë me liderët më luftënxitës të Ballkanit Perëndimor dhe liderët tjerë problematikë, si presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe lideri i serbëve të Bosnjes Milorad Dodik, nuk është sekrete. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i madh dhe duhet të ngre alarmin prej Ankarasë në Londër, dhe prej Berlinit në Washington.
Në vitin 2012, para se z. Vuçiq të vinte në pushtet, Serbia kreu dy aktivitete ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të lidershipit të tij, numri i këtyre aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti mes dy shteteve është krucial për të dyja palët, dhe blerjet e donacionet e armatimeve të rënda janë aq të mëdha, sa Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër ‘humanitare’ në Nish që ka shumë pikëpyetje për misionin e pretenduar. Nuk është çudi që Departamenti amerikan i Mbrojtjes së SHBA-ve ka theksuar që Serbia ofron “ambientin më të mirë” për ndikimin rus në rajonin tonë.
Refuzimi i menjëhershëm i Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, prandaj, nuk duket i befasishëm dhe zbulon se ku qëndron në të vërtetë besnikëria e saj. Tash është koha për të folur qartë se për çka qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën qëndrojnë me Ukrainën, ndërsa Serbia ka zgjedhur të qëndrojë me z. Putin.
Përgjatë viteve të kaluara, pavarësisht lojës së mirë me vlerat evropiane, Serbia vazhdimisht e ka rritur bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik me Rusinë deri në atë nivel që s’e kemi parë kurrë, as nën regjimin e Millosheviqit. Kalimi i Serbisë në autokraci ka qenë gradual, dhe më e rëndësishmja, i qëllimshëm. Për kohë shumë të gjatë ai as nuk është sfiduar e as nuk është njohur, prandaj sot Serbia përbën kërcënim për stabilitetin në Evropë. Kjo tashmë është e qartë në të gjithë treguesit ndërkombëtarë që flasin për nivelin e demokracisë, mediave dhe të drejtave. Rënja e shifrave të Serbisë është testament për tundimin e saj autokratik në rritje.
Veprimet e paparalajmëruara të Serbisë për tabelat e veturave vitin e kaluar tregoi një gjë të tillë. Përkundër marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, për gati një dekadë Serbia kishte kërkuar që tabelat e regjistrimit të Kosovës të hiqeshin sapo të kalohej kufiri për në Serbi dhe të vendoseshin tabela të përkohshme. Kështu që në tetor, Kosova që është palë e barabartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendosi reciprocitet për këtë çështje. Qeveria në Beograd u ngut t’i vendoste tanket dhe avionit MiG rusë në kufirin tonë, dhe ambasadori rus i dha bekimin ushtrisë serbe nëse vendoste të hynte në Kosovë.
Ngjashëm, kur krejt rajoni ynë mori pjesë në ushtrimet e Natos vitin e kaluar – që përfshinte partnerët tanë në mbarë Evropën, Serbia isthe i vetmi vend që nuk mori pjesë dhe në vend të kësaj bënte ushtrime ushtarake me Rusinë në territorin e saj.
Në ballë të këtyre zhvillimeve, rehatimi i vazhdueshëm i z. Vuçiq nga disa ngre shqetësime serioze dhe ngre rrezik për paqen.
Zhvillimet në Ukrainë janë një përkujtim që nuk duhet të jemi indiferentë në ballë të autokracisë apo kur vlerat tona dhe aleatët tanë kërcënohen. Kjo nuk është më “ne” dhe “ata”, kjo na përkujton të gjithëve edhe një herë që kërcënimi ndaj demokracisë në territorin e dikujt është kërcënim për të gjithë.
Në pjesën tonë të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur përmes sakrificës së madhe, përfshirë edhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur, dhe kjo nënkupton edhe që të flasim të vërtetën kur përballemi me agresionin e përditshëm nga Serbia fqinje.
Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Kosovës-The Economist