
Në skenën politike në Bullgari ka pasur zhvillime gjatë kohëve të fundit. Kriza në koalicionin qeverisës, është një ndër temat kryesore. Poashtu, bllokimi i aeroplanit të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke i pamundësuar atij vizitën e planifikuar në Serbi.
Për këtë, The Geopost ka kontaktuar njohësen e situatës në Bullgari, njëherësh ekpserte e ndikimit rus, Rumena Filipova.
Sipas saj, kriza politike në Bullgari është shkaktuar nga vendimi i partisë politike ITN e cila është tërhequr nga koalicioni qeverisës pa ndonjë justifikim të qartë.
“Kriza politike në Bullgari u shkaktua nga vendimi i ITN-së (e njohur ndryshe si ‘Ka Njerëz të të Tillë’ e udhëhequr nga shoëmani Slavi Trifonov) për t’u tërhequr nga qeveria e koalicionit pa dhënë një justifikim të qartë dhe të besueshëm për urgjencën e largimit nga koalicioni në një mjedis të tensionuar ndërkombëtar, të përcaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, duke vepruar në përputhje me stilin përgjithësisht jobashkëpunues të partisë. Kërkesat e ITN-së për fonde për realizimin e projekteve infrastrukturore ndodhin në një kontekst dyshimesh dhe zbulimesh serioze për përfshirjen e partisë në rrjete politiko-ekonomike jo transparente. Mosmarrëveshja e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut duket se është përdorur vetëm si pretekst nga ana e ITN për largimin e koalicionit nga qeveria pasi kryeministri është zotuar shumë herë se vendimet në lidhje me Shkupin do të hidhen në votim parlamentar.”, ka thënë Filipova për The Geopost.
Tutje, Filipova ka shtuar se kriza politike në Bullgari ëshgtë reflektim i proceseve afatgjata, të cilat e ndajnë shoqërinë në mes status quo-së postkomuniste dhe asaj demokratike.
“Në përgjithësi, kriza politike është një reflektim i proceseve të rëndësishme dhe afatgjata që ndodhin në shumë sektorë të shoqërisë bullgare, bazuar në një luftë midis status quo-së postkomuniste dhe forcave të ndryshimeve më progresive demokratike. Kjo luftë përkufizohet nga kundërvënia midis dy sistemeve të ndryshme të vlerave, kodeve kulturore dhe qëndrimeve ndaj normave dhe parimeve që duhet të drejtojnë marrëdhëniet shoqërore, të bërit politikë dhe të ushtruarit pushtet.”, ka thënë ajo.
Për sa i përket bllokimit të fluturimit të ministrit të jashtëm rus nga ana e Bullgarisë, Filipova tha për The Geopost se kjo mund të shkaktojë pakënaqësi në qarqet politike të Kremilinit si dhe tek përfaqësuesit lokalë të Rusisë në Bullgari.
“Ky është një ndër hapat që kanë ndërmarrë autoritetet bullgare – më së shumti së bashku me vendimin për të hequr vendin nga furnizimet me gaz rus, në drejtim të kufizimit të ndikimit rus. Qëndrimi përballë Kremlinit, megjithatë, ka të ngjarë të shkaktojë pakënaqësi në qarqet politike të Kremlinit, si dhe përfaqësuesit lokalë të Rusisë në Bullgari, të cilët do të rrisin përpjekjet për të penguar përpjekjet e Sofjes për t’u distancuar politikisht dhe ekonomikisht nga Moska.”, tha ajo.
Sipas Filipovës, thirrjet për neutralitet nga ana e Bullgarisë i kanë rrënjët në Kremlin dhe ushqehen nga dezinformatat e sponsorizuara nga Kremlini.
“Të gjitha këto zhvillime po ndodhin në një sfond shoqëror, ku pjesë të popullsisë ushqehen me ndjenja pro-ruse, të ushqyera nga dezinformatat e sponsorizuara nga Kremlini dhe kërkojnë ‘neutralitet’ bullgar ndaj luftës ruse në Ukrainë. Thirrje të tilla për neutralitet i kanë rrënjët në ambivalencat kulturore të Bullgarisë Lindje-Perëndim, fshehin një paragjykim pro-rus, minojnë orientimin pro-perëndimor të Bullgarisë dhe kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO.”, përfundoi Filipova për The Geopost.